Pandemia, Salianji flet për “KJ”: Rama jep vetëm një zgjidhje, të presësh vdekjen në shtëpi apo të burgosesh jashtë

Ndryshimet në Kodin Penal, ish-deputeti i PD-së deklaron se dënimi i ashpër i propozuar nga Qeveria “Rama” është disproporcional dhe i palogjikshëm. Shqipëria bën pa Ramën dhe qeverinë, qytetarët nuk bëjnë dot pa Shqipërinë dhe ekonominë!

Bisedoi: Herion Mesi

Shqipëria bën pa Ramën dhe qeverinë, qytetarët nuk bëjnë dot pa Shqipërinë dhe ekonominë! Kështu shprehet ish-deputeti demokrat Ervin Salianji në një intervistë për “Koha Jonë”, teksa analizon situatën e krijuar nga pandamia e koronavirusit që përfshiu dhe vendin tonë dhe menaxhimin e saj nga ana e qeverisë shqiptare.

Salianji shprehet se opozita dhe veçanërisht Partia Demokratike ka kërkuar jo vetëm transparencë, por dhe testime masive, pasi sipas tij, testimet do të zbulonin vatrat e infeksionit, do të izoloheshin më shpejt dhe do të kishim mundësinë të dilnim më shpejt nga ky makth i madh për qytetarët dhe për ekonominë. Në këtë kontekst, ai thotë se mungesa e një analize të përafërt për dëmet që po i shkakohen ekonomisë në këto kohëra nuk është çeshtje e mungesës së transparences, por lidhet thelbësisht me paaftësinë e qeverisë.

Ndërsa lidhur me ndryshimet e paralajmëruara nga mazhoranca në Kuvend të Kodit Penal për rastet e pandemive, Ervin Salianji deklaron se Rama jep vetëm një zgjidhje, të presësh vdekjen në shtëpi apo të burgosesh jashtë.

“Dënimi i ashpër i propozuar është disproporcional dhe i palogjikshëm. Ky propozim i jep qeverisë autoritet që nëpërmjet institucioneve të saj të vartësise ta përdor si instrument për kërcenimet e kundërshtarëve apo rritjen e autoritarizmit. Ky propozim bëhet absurd në kushtet kur sot Shqipëria është ndër vendet më pak të prekura për shkak të ndërgjegjësimit të lartë të qytetarëve të cilët i janë pergjigjur në mënyrë shembullore rregullave të përcaktuara nga OBSH dhe ekspertët ndërkombëtare”, shprehet ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji.

Intervista e plotë me ish-deputetin e PD-së

Z. Salianji gjatë kësaj situate që krijoi pandemia, opozita ka qenë e drejtpërdrejtë për mungesën e transparences nga ana e qeverisë. Një transparencë jo vetëm sa i përket shifrave ekonomike të dëmit që mund të ketë shkaktuar “shtetrrethimi”, por edhe të shifrave të numrit real të të infektuarve në vend. Në fakt si qëndron e vërteta e këtyre të dyjave, sipas informacioneve që ju keni?

Numri real i të infektuarve duket si një domain i paprekshëm i qeverisë e cila i publikon shifrat sipas kurbës që do të ndërtojë Rama dhe përsëri kur shifrat nuk përputhen Rama ka një kurbë të vetën që e shpik e cila është ndryshe nga shifrat që publikon ministria e tij. Ne nuk kemi kërkuar vetëm transparencë, por kemi kërkuar të bëhen testime masive, testimet do të zbulonin vatrat e infeksionit, do të izoloheshin më shpejt dhe do të kishim mundësinë të dilnim më shpejt nga ky makth i madh për qytetarët dhe për ekonominë. Shpenzimi tek testet duke gjurmuar dhe testuar qytetarët që kanë pasur kontakt me të prekurit do të ishte më efektiv dhe efikas dhe këtë nuk e themi ne si opozitë por e thone ekspertët ndërkombëtare dhe e rekomandon fort OBSH. Mendoni ju se ekspertët e Ramës janë më të mençurit? Apo thonë atë që  kërkon Rama?!

Mungesa e një analize të përafërt për dëmet që po i shkakohen ekonomisë në këto kohëra nuk është çeshtje e mungesës së transparences, por lidhet thelbësisht me paaftësinë e qeverisë. Sot do të duhej së pari të kishim publike dhe të qartë se cilët sektorë dhe cilat biznese dëmtohen më shumë që të bëhej shpërndarje e të ardhurave të buxhetit drejt bizneseve që duhet të sigurojnë mbijetesën, punëtorët, apo të mbroheshin biznese me rëndësi strategjike, nuk shoh sot të flitet për turizmin, shumë pak ose aspak për bujqësinë që kosto ju është rritur nga blerja e farave shumë më shtrenjtë tek preparatet kimike që nuk gjenden ose janë me çmime shumë të larta dhe deri tek bizneset e mëdha që nuk janë të lidhura me qeverinë të cilët pasi kanë humbjet më të mëdha po përballojnë dhe kostot e mbajtjes së punëtorëve apo kostot idioteseke të pagesave paraprake për tatim fitimin, sigurimet shoqërore etj.

Në mungesë të një strategjie të mirëfilltë që do të vinte nga një analizë serioze e situatës sot ka vetëm dy elemente diskutimi në publik, së pari si të mbrohen oligarkët dhe lekët që marrin këta oligarkë nga buxheti ose thënë më kuptueshëm, lekët që marrin oligarkët nga pagesat që bëjnë në buxhet biznesi i vogel, i mesëm dhe i madh. Së dyti propagandimi me shifra në hava, kot, pa asnjë qartesi pa asnjë transparencë. Sot duhet të dihej qartë dhe të ishin online sa familje në nevojë janë paguar dhe nga sa para kanë marre? Sa biznese të vogla janë paguar dhe deri në çmasë? Sa është numri i punonjësve që po largohen me kontrata ndërmjet oligarkëve dhe atyre që oligarket ti shmangen pagesave në shtet!!

Sot qytetarët paguajnë 120 milion euro per t’u pasuruar dhe majmur 12 oligarkë ndërkohë që gjithë paketa e ndihmës së qeverisë për qytetarët dhe biznesin është diku tek 60 milion euro.

Opozita i ka propozuar masat për daljen nga kriza, kudo qeveritë kanë shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën dhe kanë marrë masa që i shërbejnë shtetit dhe jo pushtetit, qeveria socialiste e Spanjës jo më larg se dje mori propozimet e opozitës, Rama këtu nuk është budalla dhe nuk e di që masat lehtësojnë qytetarët, ai ka interes të pasurojë një grusht njerëzish me çdo kusht dhe në periudhë fatkeqësie sepse kështu i shërben pushtetit të tij personal.

Me propozimet tona ne duam të shpëtojmë Shqipërinë, Rama do të propagandojë që të shpëtojë qeverinë. Shqipëria bën pa Ramën dhe qeverinë, qytetarët nuk bëjnë dot pa Shqipërinë dhe ekonominë!

Si e shikoni planin e qeverisë për përballimin e krizës dhe ndërhyrjet ligjore që ajo po parashikon të bëjë në Kodin Penal?

Duket përtej imagjinares, në kushtet kur nuk ofron, qeveria vetëm ndëshkon apo kërcënon. Shikoni programet e çdo vendi tjetër dhe qeverie, dalin dhe thonë që do ofrojmë këtë lehtësi fiskale, këtë ndihmë ekonomike, këtë garanci spitalore etj. Rama jep vetëm një zgjidhje, të presësh vdekjen në shtëpi apo të burgosesh jashtë. Dënimi i ashpër i propozuar është disproporcional dhe i palogjikshëm. Ky propozim i jep qeverisë autoritet që nëpërmjet institucioneve të saj të vartësise ta përdor si instrument për kërcenimet e kundërshtarëve apo rritjen e autoritarizmit. Ky propozim bëhet absurd në kushtet kur sot Shqipëria është ndër vendet më pak të prekura për shkak të ndërgjegjësimit të lartë të qytetarëve të cilët i janë pergjigjur në mënyrë shembullore rregullave të përcaktuara nga OBSH dhe ekspertët ndërkombëtare. Ne si opozitë i kemi kërkuar këto masa para datës 2 Mars dhe më përpara se te identifikohej zyrtarisht pacienti i parë me COVID në Shqipëri. Qeveria duhet të mendonte zgjidhje alternative, personat e prekur me COVID t’i karantinonte në një zonë të caktuar. Dini gjë sot për çfarë karantine u fol se do ishte ish-kavaleshenca në Durrës?! Po

Ju si opozitë jeni shprehur për testime masive. Sipas ekspertëve jemi në rënie të kurbës, në opinionin tuaj duhet vazhduar me këtë regjim të deritanishëm?

Duhet pasur shumë kujdes, kurba në kushtet e testimit minimal nuk tregon realitetin. Duhen ndjekur këshillat dhe protokollet e OBSH dhe ekspertëve ndërkombëtare dhe jo këshillat e eskpert Ramës. Mendoj që nuk duhet bërë gabimi i madh që të quhet luftë e fituar dhe të rikthehet koha që e kemi fituar gjatë kësaj periudhe. Duhet ende durim dhe respektim i kushteve për distancim social dhe izolim deri sa lufta të fitohet jo me kurba dhe letra por në terren!

Edhe pse kërkohet një hapje e butë e jetës, si e shikon ridaljen e shqiptarëve nga karantina?

Shumë të vështirë, duhet insistuar në çdo moment që qytetarët shqiptarë nuk kanë të ardhurat e vendeve të BE dhe në kushtet e një izolimi më shumë se 5 javor tanimë nuk kanë rezerva financiare të sigurojnë jetesën apo mbijetesën. Duhet ndërhyrje e qartë dhe transparencë nga qeveria se sa njerëz kanë ngelur të papunë këtë periudhë? Si do ndihmohen të mbijetojnë? Sa familje në nevojë janë ndihmuar sa pagë kanë marrë? Sa biznese janë ndihmuar? Si do e përballojë krizën biznesi i madh pasi të dalim nga izolimi? Si do përballohet trauma post është menaxhim po aq i vështirë sa kriza!

Në morinë e lajmeve të përditshme që prodhoi këto ditë situata me koronavirusin, Shqipëria ka mori lajmin e shumëpritur, ku Bashkimi Europian vendosi çeljen negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në fakt si e shihni këtë vendim të Brukselit, dhe cili do të jetë fati i kushteve të Bundestagut gjerman dhe jo vetëm?

Lajm pozitiv por duhet lexuar drejt dhe duhen plotësuar kushtet, nga ky moment nuk ka më fajin e ka Evropa, ka kushte konkrete.

Hapja e negociatave për Shqipërinë u bë pasi janë hapur negociatat prej vitit 2011 për Serbine, vitit 2012 për Malin e Zi, dhe pa asnjë kusht sot për  Maqedoninë e Veriut!

Shqipëria  ishte e para ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, qeveria e Partisë Demokratike nënshkroi ndër të parat marrëveshjen e Stabilizim asocimit, hoqi vizat pas një pune voluminoze dhe të matshme në përmirësimin e shërbimeve, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, krijimit të sistemit online të gjëndjes civile, pashaportave biometrike etj.

Sot për fat te keq jemi të fundit, hapja e negociatave me kaq shumë kushte dhe pasi i është dhënë ok gjithë vendeve të rajonit tregon mangësite e punës së qeverisë, në fakt lajmi i sotëm është si me nxënësin e keq, që duke qënë i vetmi që po ngelet në klasë mësuesi i jep pyetjet e provimit para… pooor nuk do të thotë se ka kaluar klasën nëse nuk bën as këto detyra.

Kushtet e BE duken si thirrje për rrotacion, si kusht që na afron më shumë standartet perëndimore, drejt demokracisë funksionale, me institucione të forta që vijnë nga zgjedhje të lira, me luftë ndaj krimit dhe korrupsionit, me pavarësi të institucioneve të pavarura dhe garantim të lirive dhe të drejtave ??

Dhe një pyetje të fundit lidhur me situatën në Kosovë, ku edhe pse është përfshirë nga pandemia, vendi tashmë duket se ka mbetur pa qeverisje. Çdo të thotë kjo për Kosovën?

Asnjë traumë, qeveria funksionon si qeveri në detyrë dhe po bëhet politike. Nuk më takon të bëj asnjë koment më tepër, e qartë është se ka lojë politike dhe të gjithë aktorët politikë po kërkojnë të përfitojnë në elektorat, disa me teza disa me lëvizje dhe akte. Çdo vendimmarrje në Kosovë, nga institucionet duhet të respektohet nga institucionet e Shqipërisë dhe nga çdo politikan.

SHKARKO APP