Patozi: Studentët mund të përmbysin Qeverinë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i ftuar sot në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në “News 24” foli për protestën disa-ditore të studentëve.
Ai tha se protesta ka shenja të mira, edhe pse s’mund të themi se po përsëritet historia.
Më shumë se sa vetëm për tarifat apo për përmirësimin e kushteve, sipas Patozit, kjo protestë ka të bëjë me një mllef ndaj sistemit politik në Shqipëri dhe mungesës të së drejtës.
Patozi u shpreh se studentët kanë aftësinë dhe mundësinë që të përmbysin çdo qeveri.
“Kjo protestë është një lloj reagimi intuitiv, nuk shikoj organizim të mirëfilltë, sepse po të ishte kështu do ishte perfekte. Por është akumulim i një revolte që është kthyer në një ortek. Ndryshe nga ne në ’90 që ishim kundër një partie, sot këta janë të zhgënjyer nga sistemi i gjithë partive. Kam parë shumë mendime kritike që po nervozohen me studentët për kërkesat e tyre. Këtë nuk duhet t’ja lejojmë vetes. Nuk mund t’u tregojmë ne se çfarë duhet të bëjnë ata. Unë i shikoj si një model për tu ndjekur. Ata që duan tu tregojnë sesi protestohet do të bënin mirë të bënin vet një protestë. Kjo protestë duhen lenë e qetë, se mbase mund të ketë edhe kërkesa politike”,- tha Patozi.

KOHA JONË SONDAZH

