Për herë të parë jashtë BE-së, ja çfarë duhet të dimë për Samitin e 10-të të Procesit të Berlinit

Samiti i Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Tiranë është i dhjeti në serinë e mbledhjeve të mbajtura në kuadër të tij (Berlin (2014), Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018), Poznan (2019) dhe Sofie-Shkup (online për shkak të Covid-19) (2020 dhe 2021), Berlin (2022). Për herë të parë ai do të zhvillohet në një shtet jo-anëtar të Bashkimit Europian, në Shqipëri.

Nga Selaniku në Berlin

Samiti i Ballkanit Perëndimor, i vitit 2003 në Selanik, premtoi një thellim të marrëdhënieve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, perspektiva e anëtarësimit në BE nuk pati progres; në realitet ajo mbeti në vendnumëro. Dështimi i Samitit të Selanikut e nxiti Gjermaninë që të sjellë një iniciativë të re në rajon. U gjet momenti i duhur, pikërisht atëherë kur politika e zgjerimit po sfidohej në mënyrë kritike, pasi BE-ja po ndalonte hyrjen për shtetet e reja anëtare. Kriza e brendshme e paprecedent në BE, rritja e lëvizjeve populiste, pengesat e vendosura ndaj emigracionit, kriza e vazhdueshme ekonomike dhe rritja e terrorizmit, absorbuan të gjitha kapacitetet e saj politike. Duke pasur raporte të drejtpërdrejta me secilin shtet të Ballkanit Perëndimor, Gjermania mori përsipër drejtimin e iniciativës së Procesit të Berlinit.

Objektivat e Procesit të Berlinit

Objektivat e Procesit të Berlinit janë katër. Këto objektiva të deklaruara që në fillim të këtij procesi mbeten të pandryshuara: zgjidhja e problemeve të brendshme, të hapura dypalëshe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe së fundi krijimi i një baze për rritjen e qëndrueshme të rajonit. “Agjenda e Konektivitetit”, e cila përfshin zhvillimin e infrastrukturës së transportit dhe energjisë, përmirësimin e lidhjeve rajonale dhe thjeshtimin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve, përbën thelbin e Procesit të Berlinit.

Arritjet e deritanishme të Procesit të Berlinit

Ndër arritjet kryesore të Procesit të Berlinit janë Korsitë e Gjelbra, brenda rajonit dhe ndërmjet tij dhe vendeve anëtare të BE, që kanë lehtësuar rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal. Zbatimi i Marrëveshjes Rajonale të Roaming pritet të ulë kostot e komunikimit mes vendeve të BP dhe atë me vendet anëtare të BE duke forcuar lidhjet mes njerëzve.

Marrëveshjet e nënshkruara në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit

1. Mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve të vendeve të BP;

2. Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve akademike;

3. Marrëveshja për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale të mjekëve të mjekësisë, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes CEFTA

Sa i kushton Shqipërisë organizimi Samitit

Samiti i 16 tetorit bashkë me organizimet paraprirëse në kuadër të tij i kanë kushtuar Shqipërisë 112 milionë lekë apo rreth 1,1 milionë euro. Konkretisht, 61 milionë lekë të akorduara në muajin shkurt shkuan kryesisht për Ministerialin dhe Forumin Ekonomik, ndërsa 51 milionë i janë dedikuar vetëm ngjarjes të së hënës, që vjen në ambientet e reja të Piramidës. Vendimet e publikuara në Fletoren Zyrtare tregojnë se paratë për këto shpenzime do të merren nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit. Pjesa e këtyre fondeve janë për infrastrukturën e dedikuar, si pritëse ashtu edhe akomoduese të liderëve. Një pjesë e parave shkojnë për sigurinë dhe ushqimet që do u shërbehen të ftuarve jo të zakonshëm.

Çfarë pritet nga Samiti i Tiranës?

Hapi i parë pozitiv dihet se është prania në takim e të gjitha drejtuesve të shteteve të rajonit, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti (ndryshe nga Ballkani i Hapur, në Procesin e Berlinit marrin pjesë të gjitha shtet e Ballkanit Perëndimor). Në tërësinë e tij, Procesi i Berlinit ka në thelb ekonominë. Nga marrëveshjet që pritet të firmosen do të përfitojnë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedoni e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë do mund të tërheqin investime në drejtim të projekteve infrastrukturore, energjetike, turizëm dhe bujqësi.

SHKARKO APP