Presidenti Begaj me kreun e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi: Do të vijoj të ngre çështjen e pasivizimit të adresave

Presidenti Bajram Begaj, priti sot një përfaqësi të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, të kryesuar nga kryetari i këtij Këshilli, Enkel Rexhepi. Kreu i shtetit e uroi Rexhepin për marrjen e detyrës dhe e siguroi se ai e ndjek nga afër, edhe si një detyrë kushtetuese, të gjithë situatën e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Kreu i Shtetit theksoi se për Institucionin e Presidentit të Republikës, mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve, si dhe kultivimi dhe avancimi i identitetit kombëtar dhe kulturor të tyre janë në fokus të veprimtarisë së tij. Begaj kërkoi më shumë bashkëpunim mes shqiptarëve të Luginës dhe përfaqësuesve të tyre politikë e institucionalë.

“Në të gjitha takimet e mia me partnerët ndërkombëtarë kam ngritur dhe do të vijoj të ngre çështjen e pasivizimit të adresave, të përdorimit dhe respektimit të gjuhës shqipe, të ruajtjes së identitetit kulturor të shqiptarëve të Luginës, si dhe çështjet e arsimit në shqip. Por kërkoj nga ju më shumë bashkëpunim dhe angazhim të fortë në mbrojtje të këtyre të drejtave ligjore tuajat. Në këtë detyrë jam avokat i shqiptarëve dhe i shqiptarisë, dhe i tillë do të mbetem edhe përtej këtij funksioni”, tha në përmbyllje të këtij takimi Presidenti i Republikës.

SHKARKO APP