Presidenti dekoron Agur Vrenozin: Akt vetmohues në mbrojtje të jetës
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordoi sot Agur Vrenozit (pas vdekjes) “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.
Agur Vrenozi humbi jetën pasi u godit me armë nga grabitësit e një pikë këmbimi valutor.
Dekorata ju dha nga Presidenti për “për aktin e tij vetmohues në mbrojtje të jetës së bashkëqytetarëve; për veprimin heroik e sublim, frymëzues për mbarë shoqërinë për të reaguar në përballjen me dhunën, krimin e rrezikun për jetën, paqen sociale, pronën e sigurinë qytetare“.
Agur Vrenozi, 53 vjeç, babai i tre fëmijëve ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi plagëve të marra në trup.
Në qytetin e Fierit, ditën e shtunë u zhvilluan homazhe madhështore në ceremoninë mortore. Si rrallë herë jo vetëm qyteti i Fierit, por gjithë vendi përcolli për në banesën e fundit një hero që u përballë me grabitësit. Gjesti i tij vetëmohues është një nga aktet e rralla që meriton të vlerësohet, në një shoqëri që duket se ka humbur modelet pozitive dhe humanizimit.
Po dje, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nëpërmjet këshilltarit të tij për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani, i shprehu sot ngushëllimet dhe solidaritetin e tij, familjes së qytetarit Agur Vrenozi, i cili flijoi jetën në betejë me bandat e krimit. “Në emër të Presidentit Meta i përcolla sot ngushëllimet më të thella, solidaritetin dhe mbështetjen e plotë, familjarëve të qytetarit, Agur Vrenozi, i cili sakrifikoi jetën për të shpëtuar bashkëqytetarët e vet nga përplasja me kriminelët. Akti i tij sublim, është një gjest i lartë vetëmohimi, një humanizëm i rrallë dhe një shembull i vlerave morale më të arrira të shqiptarëve. Nëpërmjet këtij shembulli, shoqëria shqiptare tregoi se nuk mund të mposhtet nga krimi. Shteti shqiptar do të mbështesë dhe do t’i gjendet pranë gjithmonë fëmijëve dhe familjarëve të Agur Vrenozit”, – deklaroi këshilltari Asllani në emër të Presidentit Meta.
Ngjarja ku humbi jetën Agur Vrenozi
Rreth orës 10:55 minuta të datës dy mars, tre personat me armë dhe me maska grabitën pikën e këmbimit valutor në pronësi të Gezim Hoxhës, cili së bashku me bashkëshorten bëri rezistencë dhe kërkoi ndihmë.
Por i vetmi që u shkoi në ndihmë ishte pronari i ndërtesës Agur Vrenozi. Dy burrat janë përleshur me dy grabitësit të cilët qëlluan të paktën dy herë me armë zjarri. Një plumb kapi në kokë 53 vjeçarin Vrenozi, ndërkohë Gëzim Hoxha mori dëmtime me sende të forta.
Autorët u larguan nga vendngjarja me një makinë me targa të falsifikuara, duke marrë edhe një sasi parash. Nën ndjekjen e policisë, autorët braktisën mjetin dhe u vënë në pranga në fshatin Baltëz. I pari në lumin me të njëjtin emër, i dyti pranë Urës së fshatit dhe i treti i fshehur në një banesë.

Agur Vrenozi

Dekorata e Presidentit
KOHA JONË SONDAZH

