Presidenti Meta: Investimi te rinia, garanci për të ardhmen e shoqërisë
Kreu i shtetit takon anëtarët e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me anëtarët e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Takimi është fokusuar në projektet konkret të Fondit në Shqipëri. Në një postim në Facebook, kreu i shtetit vlerëson ndihmën që Fondi Amerikan i Zhvillimit ka dhënë në Shqipëri. “Sot pata kënaqësinë të takoja në një darkë miqësore anëtarët e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Michaeli dhe kolegët e tij prej vitesh kanë kontribuar në projekte zhvillimore ekonomike dhe sociale për vendin, të cilat janë kthyer në histori suksesi dhe burim inspirimi”,- shkruan kreu i shtetit. Presidenti ka garantuar përfaqësuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për mbështetjen e institucionit të tij në projektet që realizohen në vend. Ai kërkoi nga anëtarët e bordit që projektet të fokusohen në fushën e edukimit të rinisë shqiptare. “Diskutuam dhe shkëmbyem ide rreth sfidave dhe potencialeve që ka Shqipëria për të qenë një faktor i rëndësishëm në rajon dhe më gjerë. Fondi do të ketë mbështetje maksimale të Presidentit të Republikës për të avancuar me një axhendë të larmishme të projekteve zhvillimore, sidomos në fushën e edukimit, me fokus kryesor investimin tek rinia shqiptare si garancia e vetme për një shoqëri me prosperitet, me mirëqenie dhe të ardhme”,- shprehet kreu i shtetit, Ilir Meta.
KOHA JONË SONDAZH

