Presidenti Meta përkujton Holokaustin: Të mos lejojmë kurrë më të tilla tragjedi, gjenocide e akte çnjerëzore
Presidenti Ilir Meta ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, për mijëra hebrenj që humbën jetën gjatë Holokaustit.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meta shprehu krenari për kodin e nderit dhe të mikpritjes të Shqipërisë, si i vetmi vend në Europë që strehoi hebrenj.
Postimi i plotë i Presidentit Meta
Sot, në përvjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës, nderojmë miliona jetë të pafajshme hebrenjsh të humbura gjatë Holokaustit.
Krenarë për kodin tonë të nderit dhe mikpritjes BESA, Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku numri i hebrenjve ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore se para luftës, sepse familjet shqiptare, të besimeve të ndryshme, mbrojtën popullin hebre gjatë asaj periudhe të errët.
Duke përkujtuar viktimat e pafajshme të mizorisë së pashpirt të Holokaustit, dënuar antisemitizmin, mungesën e tolerancës, bashkëjetesës, dhe shkeljen e lirive, të drejtave dhe dinjitetin njerëzor, të gjithë duhet të angazhohemi dhe të mos lejojmë KURRË MË të tilla tragjedi, gjenocide dhe akte çnjerëzore.
#WeRemember #NeverAgain
KOHA JONË SONDAZH

