Presidenti Meta vlerëson teatrin “Andon Zako Çajupi”: Krenari kombëtare, mirënjohje gjeneratave të artistëve
Presidenti i Republikës, Ilir Meta vleresoi Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”: “Me vlerësime ndaj kontributit të vyer për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare si për dhe nderin e madh që ky teatër i ka bërë kombit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje shtetërore për shërbimin me profesionalizëm të lartë në realizimin e veprimtarive të panumërta artistike dhe kulturore, të vlerësuara brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke pasuruar vlerat shpirtërore korçare dhe mbarë shqiptare”.
Pasi vizitoi mjediset dhe muzeun e Teatrit “Andon Zako Çajupi”, Kreu i Shtetit dekoroi gjithashtu disa artistë të shquar korçarë me Titullin “Mjeshtër i Madh”:
Zonjën Spanja Pipa: “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributit të çmuar për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare, nëpërmjet një karriere të pasur e profesioniste artistike, si këngëtare dhe aktore e dashur nga publiku. Me mirënjohje ndaj kontributit të jashtëzakonshëm ndaj artit dhe së bukurës, si dhe për frymëzimin e brezave të rinj me vlera të larta e të vyera, duke promovuar imazhin artistik të qytetit të Korçës.”;
Zotin Koço Qëndro: “Me vlerësim për kontributin e vyer, për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare, si aktor i talentuar dhe i mirënjohur në skenat shqiptare dhe në ato shqipfolëse. Me mirënjohje për përçimin e trashëgiminë kulturore dhe artistike korçare, nëpërmjet roleve dhe karaktereve të spikatura në skenat e teatrit dhe ekranit, duke kontribuar në artin tonë kombëtar me energji të pashtershme.”;
Zotin Sotiraq Bratko: “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributit të vyer për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare, nëpërmjet roleve të panumërta si aktor i spikatur, në teatrin dhe kinematografinë shqiptare. Me mirënjohje për karrierën e pasur si aktor i talentuar, arritjet profesionale dhe emocionet e pafundme të dhuruara publikut artdashës, duke pasuruar trashëgiminë e vyer artistike kombëtare.”;
si dhe zotin Roland Karanxha: “Në vlerësim të kontributit të vyer për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare, nëpërmjet një karriere të gjatë artistike, talentit në grafikë dhe pikturë. Me mirënjohje për origjinalitetin dhe frymën e rrallë krijuese në gjininë skenografike, si një ndër personalitetet më të spikatura në këtë disiplinë në vendin tonë, duke kontribuar për pasurimin e trashëgimisë së vyer artistike kombëtare”.
KOHA JONË SONDAZH

