Presidenti: Sakrifica e dëshmorëve për Shqipërinë europiane, meriton respektin tonë përjetë!
Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Cërrikut ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 75-vjetorit të batalionit partizan të Dumresë. Së bashku me kryetarin e Bashkisë, së Cërrikut, Altin Toska, deputetë të Elbasanit, Presidenti Meta vendosi kurora me lule në memorialin kushtuar batalionit partizan të Dumresë.
“Kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë përvjetor jubilar dhe të vizitoj Cërrikun. Nderim sakrificave të rinisë dhe rezistencës partizane që udhëhoqi Luftën Nacional- Çlirimtare”,- tha kreu i shtetit.
Në fjalën e tij kreu i shtetit bëri apel për më shumë vlerësim ndaj vlerave të Luftës Nacional Çlirimtare. “Është momenti të përkulemi me respekt para dëshmorëve të LANÇ. Duhet të kujdesemi më shumë për monumentet e LANÇ dhe gjithçka që lidhet me luftën partizane”,- tha kreu i shtetit.
Presidenti ka publikuar dhe foto nga homazhet në rrjetin social Facebook. “Sot në Cërrik, për të përkujtuar 75-vjetorin e Batalionit partizan të Dumresë. U përula me nderim para veprës së lavdishme e të pavdekshme të dëshmorëve të atdheut! Sakrifica e tyre sublime, për Shqipërinë europiane, meriton respektin tonë përjetë!”,- shkruan kreu i shtetit.
Pas ceremonisë për batalionit partizan të Dumresë, Presidenti Meta mori pjesë në Panairin e Agrobiznesit dhe Artizanatit në Cërrik. Kreu i shtetit u takua me zejtarë e fermerë të zonës së Cërrikut. Gjatë fjalës së tij, Presidenti u shpreh se duhet të promovohen më shumë produktet bio “Made in Albania”.

KOHA JONË SONDAZH

