Projektvendimi/ Reforma zgjedhore vetëm nga PS dhe PD. S’ka vendim për LSI-në

Bledar Çuçi e Oerd Bylykbashi bashkëkryetarë. Komisioni për Reformën Zgjedhore mandat 6 mujor

Nga Herion Mesi

Të enjten parlamenti do të ngrejë Komisionin për Reformën Zgjedhore. Palët politike kanë qartësuar pozicionet e tyre por ende nuk kanë nisur negociata me njëra-tjetrën. Komisioni do të funksionojmë me numër të barabarte anëtarësh dhe me bashkë-kryesim. Formati paraprak është me 5 anëtarë për opozitën dhe 5 për mazhorancën. Mësohet se Partia Socialiste do të propozojë për këtë detyrë ish-ministrin e ccështjeve vendore, Bledi Çuçi, ndërsa PD do të bashkë-drejtojë me Oerd Bylykbashin. Partia Socialiste do t’i mbajë të gjithë anëtarët për vete si e vetmja forcë qeverisëse, por e paqartë ngelet situata në kampin opozitar. Burime nga Partia Demokratike bëjnë me dije se përveç bashkëkryetarit Bylykbashi, kjo parti është e gatshme t’i ndajë këto vende me 4 aleatët e saj me të cilët garoi në zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë mënyrë LSI do të ngelej e pa përfaqësuar. Por duke marrë në konsideratë peshën e votave të LSI-së në parlament, situata imponon marrëveshje dhe negociata mes PD-së dhe LSI-së, pasi janë në të njëjtën llogore. Një zgjidhje e mundshme është ajo që komisioni të ketë 5 anëtarë përveç personit të gjashtë, bashkëkryetarit. Kështu, PD-ja do të kishte të përfaqësuar aleatët, të cilëve ju ka premtuar, e do të krijohej edhe një vend për LSI-në.

Swiss Digital Desktop Reklama

Relacioni

Swiss Digital Mobile Reklama

Pas ngritjes së komisionit, do të fillojë puna për reformën zgjedhore, e cila është e parashikuar që në marrëveshjen e 18 majit mes Ramës dhe Bashës në kapitullin e reformës kushtetuese. Reforma zgjedhore do të jetë konsensuale kjo dhe për faktin se do të drejtohet me bashkëkryetarë të cilët kanë dhe të drejtën e vetos, çka lë të kuptohet se pa miratimin e dy forcave politike  kryesore komisioni nuk mund të marrë asnjë vendim. Paraprakisht PD kërkon sistem maxhoritar të kushtëzuar me votim e numërim elektronik, ndërsa PS-ja nuk shprehet qartësisht nëse kërkon ndryshim sistemi, por vetëm thotë se nuk mund të ulen në këtë tryezë me kushte. Në relacionin e projektvendimit “Për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për realizimin e reformës zgjedhore”, që pritet të miratohet nesër në Kuvend dhe të hartuar nga demokratët theksohet se Legjislatura e shkuar e Kuvendit, për shkak të mungesës së vullnetit të mazhorancës qeverisëse, nuk arriti të realizonte ndryshimet e nevojshme ligjore dhe infrastrukturore, për të garantuar zgjedhje te lira dhe të ndershme, duke bllokuar për më shumë se 1 vit propozimet konkrete të paraqitura nga Partia Demokratike dhe që adresonin shqetësimet kryesore që lidhen me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për këtë shkak, argumentojnë demokratët, Shqipëria me zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, bëri hapa të mëdha prapa në përmbushjen e standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke i dhënë shqiptarëve zgjedhjet më të deformuara në historinë e Shqipërisë, si pasojë e fenomenit masiv të shitblerjes së votave dhe presionit nga grupet kriminale, proces që kishte nisur disa muaj përpara datës së zgjedhjeve nga forcat politike qeverisëse. “Ne vlerësojmë se implementimi i kësaj reforme, duhet të pamundësojë në mënyrë të plotë dhe efikase blerjen masive të votave me paratë e krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar, përdorimin e pushtetit publik për qëllime të përfitimit në zgjedhje, përdorimit të institucioneve shtetërore si mekanizëm për të siguruar vota, apo për të ushtruar presion mbi votuesit, apo keqpërdorimin politik të Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera shtetërore”- thuhet në relacionin e nënshkruar nga deputetët e PD-së: Endri Hasa, Enkelejd Alibeaj, Flamur Noka, Valentina Duka, Eduard Halimi, Dhurata Çupi, Jorida Tabaku, Fatbardha Kadiu dhe Romeo Gurakuqi.

Komisioni i reformës

Sipas projektvendimit, Komisioni ka për detyrë analizimin e të gjitha problematikave të konstatuara në zgjedhje nga partitë politike pjesëmarrëse, si dhe organizmat monitorues, si dhe hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e propozimeve të partive politike, institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, si dhe rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Komisioni duhet të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike parlamentare, me partitë politike joparlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1 për qind të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë ne procesin zgjedhor. Gjithashtu, konsultime e dëgjesa publike duhet të zhvillohen me kërkesën e palëve dhe me përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ekspertë të fushës zgjedhore, si dhe me institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor. Sipas traditës së konsoliduar parlamentare, Komisioni propozohet që të drejtohet nga dy bashkëkryetarë: një nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste, si dhe anëtarësia të formohet me pjesëmarrjen e partive parlamentare, me përbërje të barabartë mes shumicës dhe pakicës. Konkretisht, vlerësohet e nevojshme që Komisioni të përbëhet nga 10 anëtarë (5 anëtare nga shumica parlamentare dhe 5 anëtarë nga pakica parlamentare). Pranë Komisionit duhet të ngrihet Grupi i Ekspertëve Teknikë, ku përbërja dhe mënyra e funksionimit të tij të përcaktohen me vendim të Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Nga ana tjeter, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ekspertë të OSBE/ODHIR-it, përfaqësues të partnerëve euro-amerikan, si dhe Këshilli i Europës (Komisioni i Venecias), parashikohet se duhet t’i kërkohet që të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e Komisionit dhe të grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij. Për të siguruar respektimin e mendimit të të gjitha partive politike dhe gjithëpërfshirjen, projektvendimi parashikon se çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Parimi bazë i funksionimit të Komisionit është konsensusi. Për këtë qellim, projektvendimi parashikon se mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të Komisionit dhe se vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet. Për këtë qëllim, vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve dhe vetëm kur kanë marrë njëkohësisht konsensusin e të dy bashkëkryetarëve. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, do të vlerësohet dhe kërkohet asistenca e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit te Venecias. Duke vlerësuar ngarkesën në punë të Komisionit, propozohet që ai të ushtrojë veprimtarinë e tij për një afat 6 mujor nga data e miratimit të vendimit, dhe në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të bashkëkryetarëve, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit, me një vendim të veçantë të Kuvendit.

 

Reforma zgjedhore/ PR e Mediut krijon grup parlamentar me 6 deputetë nga Partia Demokratike

Për të siguruar pjesëmarrjen e aleatit të tij republikan Fatmir Mediu në diskutimet e mëdha për reformën zgjedhore, kryedemokrati Lulzim Basha ka vendosur që t’ia huazojë 6 deputetë të PD-së për t’ia kaluar Partisë Republikane, e cila të ketë mundësinë për të krijuar grup parlamentar me deputetë të Partisë Demokaratike, por që i mundësojnë Mediut pjesëmarrjen jo vetëm në tryezën e reformës zgjedhore, por edhe në tryezat e reformave të tjera, siç është ajo në drejtësi. Dhe ashtu siç kërkohet nga Rregullorja e Kuvendit, grupi më i ri i regjistruar në Kuvend me kryetar Fatmir Mediun dhe Zëvëndës kryetare Lindita Metaliaj ka anëtarë deputetët demokratë: Nadire Meçorapaj, Hekuran Hoxhalli, Fatbardha Kadiu, Orjola Pampuri dhe Isuf Çelaj. Tashmë në Kuvend do të ketë katër grupe parlamentare PS, PD, LSI dhe PR. Me këtë ndryshim, kreu i grupit të PR-së, që do të jetë vetë kryetari Fatmir Mediu, do të jetë pjesë e diskutimeve edhe të Konferencës së Kryetarëve të grupeve dhe komisioneve të përhershme parlamentare. Rikujtojmë që kreu i opozitës Lulzim Basha ka vendosur që aletatët e Partisë Demokratike të jenë anëtarë të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Grupi Parlamentar i PR-së

Fatmir Mediu Kryetar

Lindita Metaliaj Zëvëndëskryetare

Isuf Çelaj Sekretar

Nadire Meçorapaj Anëtare

Hekuran Hoxhalli Anëtar

Fatbardha Kadiu Anëtare

Orjola Pampuri Anëtare

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?