Propozimet e Tahirit, Noka: Cinizëm pa kufij. Njeriu që e ktheu Shqipërinë në kasaphanë, kërkon të mbrojë kafshët
Propozimet e ish-ministrit socialist të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri lidhur me nismën ligjore për mbrojtjen e kafshëve ka shkaktuar reagimin e ish-ministrit tjetër të Brendshëm, por nga kampi demokrat, Flamur Noka.
Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, nënkryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare e cilëson si cinizëm pa kufij këtë propozim të socialistëve, i cili sipas Nokës, vjen pikërisht nga njeriu që e ktheu Shqpërinë në kasaphanë gjatë qëndrimit të tij në postin e ministrit të Brendshëm.
Reagimi i plotë i Flamur Nokës
Eh ku ka perfunduar ky vend….Ai qe se bashku me ustain e tij ushqeu krimin duke çuar per dhjam qeni qindra jete shqiptaresh dhe qe e ktheu Shqiperine ne kasaphane njerezore sot po na inicion ligj per mbrojtjen e kafsheve… Cinizem pa kufij…..

E PLOTE/ Propozimi i Tahirit, ja sa dënohesh nëse masakron deri në ngordhje kafshët
Zbardhen të plota propozimet e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për disa ndryshime në Kodin Penal në lidhje me dhunimin e kafshëve, që çon deri në ngordhjen e tyre.
Sipas pr/ligjit, në këtë rast parashikohet dënim me burg nga 6 muaj deri në 12 muaj dhe me gjobë nga 50.000 lekë deri në 100.000 lekë.
Neni 3
Pas Kreut II, shtohet kreu II/1, me këtë përmbajtje:
“KREU II/1
VEPRA PENALE TË KEQTRAJTIMIT TË KAFSHËVE
Neni 133/a
“Keqtrajtimi i kafshëve”
1. Braktisja e kafshëve përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 10.000 lekë gjer në 30.000 lekë.
2. Kushdo që, pa arsye të ligjshme, plagos një kafshë, apo e nënshtron atë ndaj veprimeve që sjellin vuajtjen e saj, dënohet me burgim nga 3 muaj gjer në 6 muaj.
3. Kur si pasojë e veprimeve të kryera në pikat 1 dhe 2 të këtij neni shkaktohet ngordhja e kafshës, dënimi është me burgim nga 6 muaj gjer në 12 muaj dhe me gjobë nga 50.000 lekë gjer në 100.000 lekë.
4. Çdo individ i cili detyron nje kafshë që të kryejë shërbime, punë apo të ndërmarrë sjellje që shkojnë përtej karakteristikave etologjike përkatëse, dënohet me burgim nga 1 muaj gjer në 3 muaj ose me gjobë nga 50.000 lekë deri në 100.000 lekë.
Neni 133/b
“Shfaqjet, konkurset dhe luftimi ndërmjet kafshëve”
1. Shfaqjet dhe konkurset e jashtëligjshme ku marrin pjesë kafshë, dënohen me gjobë nga 20.000 deri në 50.000 lekë.
2. Prodhimi, shpërndarja, shitja e botimi i imazheve të luftimeve ndërmjet kafshëve, me çdo mjet ose formë, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 200.000 lekë ose me burgim deri në 1 vit.
3. Organizimi i luftimeve dhe veprimtarive të dhunshme me kafshët, dënohet me burgim nga 1 vit gjer në 2 vjet dhe me gjobë nga 100.000 deri në 300.000 lekë.
4. Luftimi mes kafshëve që organizohet për qëllime përfitimi financiar dënohet me burgim nga 1 vit gjer në 2 vjet dhe me gjobë nga 500.000 deri në 1.000.000 lek.
5. Nëse nga aktet e përcaktuara në pikën 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni shkaktohet ngordhja e kafshës, dënimi është me burgim deri në 3 vjet, si dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë.
Neni 133/c
Kryerja e eksperimenteve me kafshë
1. Kryerja e eksperimenteve të jashtëligjshme me kafshët dënohet me burgim deri në 3 vjet, si dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë
Neni 133/ç
“Përdorimi për qëllime përfitimi të lëkurës së kafshës”
1. Përdorimi i jashtëligjshëm i lëkurës së kafshëve shtëpiake, për prodhimin e artikujve prej lëkure, dënohet me burgim 2 vjet deri në 3 vjet dhe me gjobë deri në 500.000 lekë.
2. Përdorimi i jashtëligjshëm i lëkurës, pendëve apo pjesëve të tjera të trupit të kafshëve të shpallura specie të rrezikuara dënohet me burgim deri në 3 vjet dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë.
Neni 133/d
“Robërimi i kafshëve të egra për përfitim”
1. Individi që në mënyrë të paligjshme robëron apo përdor për arsye përfitimi (shitje, ekspozim në kafaze) kafshët e egra të mbrojtura me ligj, dënohet dhe me burgim nga 6 muaj deri në 2 vjet dhe me gjobë në masën 300,000 lekë.
Neni 4
Neni 283 ndryshon si më poshtë “Mbajtja e paligjshme, tregtimi dhe trafikimi i narkotikëve”:
Neni 283
Mbajtja e paligjshme, tregtimi dhe trafikimi i narkotikëve
1. Konsumi dhe mbajtja e sasive që me ligj konsiderohen për konsum vetjak nuk përbëjnë vepër penale por kundërvajtje administrative.(Kjo pikë është sqaruese edhe mund të mos shprehet fare)
2. Shitja, ofrimi për shitje, blerja, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi i lëndëve narkotike ose psikotrope si dhe mbajtja ne një sasi më të madhe se ajo që me ligj konsiderohet për konsum vetiak, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
3. Po kjo, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
4. Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga katër deri në tetë vjet.
5. Mbajtja, Shitja, ofrimi për shitje, blerja, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi i substancave narkotike ose psikotrope të cilat me ligj konsiderohen si sasi të mëdha, dënohet me burgim nga gjashtë deri në dhjetë vjet.
6. Po kjo, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tetë deri në dymbëdhjetë vjet.
7. Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet
KOHA JONË SONDAZH

