Propozimi i çuditshëm i PS: Kandidatët për deputetë nuk duhet të vdesin nga datat 12 maj deri në 24 korrik
Nëse një kandidat për deputet do të vdesë 37 ditë para datës së zgjedhjeve atëherë partia politike ose koalicioni që ky kandidat përfaqëson, mund ta zëvendësojë brenda 24 orëve.
Po ashtu nëse një kandidat vdes 37 ditë pas datës së zgjedhjeve atëherë zgjedhjet në atë zonë do të zhvillohen një muaj pas zgjedhjeve.
Është ky një ndër propozimet e Partisë Socialiste për Kodin e ri Zgjedhor.
Por ky propozim i socialistëve duket pak i çuditshëm pasi në amendamentin e saj, PS-ja nuk parashikon se çfarë do të ndodhë nëse një kandidat vdes brenda 37 ditëve para zgjedhjeve dhe brenda 37 ditëshit nga data e zgjedhjeve.
Duke qenë se data e zgjedhjeve është përcaktuar nga Presidenti i Republikës e diela e 18 qershorit, atëherë me një përllogaritje të thjeshtë, i takon që nuk është parashikuar se çfarë ndodh kur një kandidat vdes brenda datave 12 maj deri ne 18 qershor, që është dhe dita e votimeve.
Po ashtu, nuk është parashikuar se çfarë ndodh me kandidatët që vdesin nga data 19 qershor deri me 24 korrik, pasi drafti i PS-së nuk parashikon se çafarë do të ndodhë në rast një kandidat i propozuar nga partitë politike ose koalicionet zgjedhore vdes papritur brenda këtij limiti kohor.
Neni 9
Në nenin 9 të draftit të amendimeve të Kodit Zgjedhor socialistët propozojnë disa shtesa në nenin 71 të Kodit aktual që trajtojnë jo vetëm tërheqjen e kandidatëve për deputetë nga gara, por edhe momente kur ata vdesin para apo pas zgjedhjeve.
- Një kandidat i regjistruar mund të japë dorëheqjen duke paraqitur deklaratë të nënshkruar prej tij përpara noterit jo më vonë se 24 orë pas vendimti të regjistrimit, në çdo rast, jo më vonë se 39 ditë para datës së zgjedhjeve. Dorëheqja në këtë rast pranohet pa votim nga komisioni zgjedhor përkatës.
- Një parti politike, ose koalicion zgjedhor mund të kërkojë zëvendësimin e kandidatit të regjistruar nga komisioni zgjedhor përkatës, me kërkesë me shkrim jo më vonë se 24 pas vendimit të regjistrimit, por në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Tërheqja e mbështetjes për kandidatin në këtë rast dhe zëvendësimi pranohet pa votim nga komisioni zgjedhor përkatës.
- Në rast të vdekjes së kandidatit, subjekti zgjedhor mund të depozitojë kërkesën për regjistrimin e kandidatit zëvendësues, jo më vonë se 37 ditë para datës së zgjedhjeve.
- Në rast se kandidati i regjistruar vdes 37 ditë pas datës së zgjedhjeve, atëherë zgjedhjet në atë zonë shtyhen për katër javë. Në këtë rast, KQZ-ja cakton një datë tjetër për paraqitjen e kandidaturës zëvendësuese.
- KQZ?KZAZ merr vendim për regjistrim brenda 24 orëve nga depozitimi i kërkesës për zëvendësimin e kandidatit.
- Kundër vendimit të regjistrimit mund të bëhet ankim sipas rastit në KQZ ose në Kolegjin Zgjedhor brenda 2 ditëve nga marrja e tij. KQZ ose Kolegji Zgjedhor vendos për ankimin brenda 48 orëve nga paraqitja e tij
Drafti i PS i zbardhur nga Report Tv

KOHA JONË SONDAZH

