Protestuan kundër rritjes së pagave të deputetëve, Policia shkon në selinë e Lëvizjes Bashkë
Sot protestën kundër rritjes së pagave të pushtetarëve e mbajti Lëvizja Bashkë, e cila në zgjedhjet lokale për bashkinë e Tiranës, dolën forcë e tretë. Pas protestës, në selinë Lëvizjes Bashkë kanë shkuar forca të shumta të policisë, duke tentuar që të arrestojnë disa prej aktivistëve.
Protesta u shoqërua me një pankartë ku shkruhej “Mos u ngopshi!” dhe me hedhjen e disa kartmoneshave false në mënyrë simbolike.
“Vetëm pak orë pas aksionit të sotëm kundër rritjes skandaloze të pagave të deputetëve e ministrave, në selinë e Lëvizjes BASHKË kanë mësyrë forca të Policisë së Shtetit. Këta të fundit, pa asnjë lloj të drejtë dhe pa asnjë lloj mandati ligjor, po tentojnë të arrestojnë aktivistët tanë. Kjo është një tentativë e dëshpëruar për t’na kërcënuar të mbyllim gojën ndaj padrejtësive, por ne nuk frikësohemi! E drejta do të triumfojë!”, thuhet në një deklaratë të Lëvizjes.