Rama: Do ndërtojmë dy spitale ultra modernë, nuk do çojmë askënd jashtë për operim
Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Sy m’sy”, iu përgjigj një komenti që ngriti shqetësime për korrupsionin në spitale dhe gjendjen e tyre në përgjithësi.
“Po çfarë të them, si të them?! Spitale ke bërë, po janë kot”. Nuk e kuptoj si mund të jenë kot? 53 spitale të reja. 10 që nuk ekzistonin. 43 që u shembën përtokë dhe u bënë përsëri nga e para me standardet më të larta europiane. E morëm detyrën në një Shqipëri me spitale që ishin ndërtuar në vitet ’60-’70 dhe ishin vetëm arnuar në vitet ’90-2000. Me shtretër lufte akoma. Me batanije nga ato ushtarake me qime si letër smeril. Banja me ujë-rrjedhje në korridore gjithandej. Ilaçe harroje. Pajisjet për operacione ishin të shekullit të kaluar. Niveli i sterilizimit me sybet. Infeksionet post-operatore më të larta në Europë. Mjekët heronj. Jepnin e merrnin si në luftë. Në mes të Europës, shekulli i 21-të. Autoambulancat ndizeshin me të shtyra. Dhe urgjencat vareshin nga oraret e gjumit të rojeve që i linin hapur telefonat për të mos i përgjigjur, me atë telin varur.
Nuk po flas për qendrat shëndetësore, mesjetë e thellë, katastrofë. Sot kemi 400 qendra të reja shëndetësore, të bëra nga e para, që u shërbejnë 1.6 milionë qytetarëve. Kemi një urgjencë kombëtare me 320 automjete të pajisura me aparatura jetëshpëtuese mbi të gjitha. Kemi mjekë të mirëpaguar, 140% më shumë se deri dje, infermiere me 112% më shumë se deri dje.Ka plot akoma. Dy spitale ultra modernë do të ndërtojmë në mandatin e katërt, në bashkëpunim me Emiratet Bashkuara dhe me strukturën më të mirë spitalore të Italisë. Nuk do të çojmë askënd jashtë për asnjë operacion të komplikuar, të vijnë këtu të kurohen edhe shqiptarët që janë jashtë”, tha Rama në një replikë me komentuesit në Facebook.
KOHA JONË SONDAZH

