Rama në SHBA: S’jam hero. Heronj janë shqiptarët
Kryeministri Edi Rama u nderua në Nju Jork me çmimin e “Inovatorit të nderuar global” nga organizata “Vital Voices”, e themeluar nga Hilari Klinton, për ndihmën që dha me refugjatët e Afganistanit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha: “Më duket një shenjë mjaft alarmuese për botën në të cilën jetojmë, kjo dëshirë e madhe për të vlerësuar një gjykim bazik të arsyeshëm. Nuk është kurrëfarë heroizmi të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin”.
“Heronj ishin shqiptarët që kishin gjithçka për të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shpëtuan hebrenjtë, duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në Evropë që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa para saj dhe duke e radhitur Shqipërinë tek të drejtët mes kombeve, përmes shpëtimit të 3750 hebrenjve dhe mbylljes së kapitullit të Luftës pa asnjë hebre të dorëzuar te nazistët“, tha ndër të tjera Rama.

