Rama: Për ndryshimet në Kodin Penal u morën parasysh shqetësimet e Presidentit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot për mediat se ndryshimet e reja në Kodin Penal për periudhën e pandemisë u miratuan duke marrë parasysh dhe shqetësimet e kreut të shtetit, Ilir Meta.

“Kemi diskutuar edhe me Presidentin, jemi harmonizuar përmes ekspertëve të parlamentit dhe të zyrës juridike të presidentit, me grupet parlamentare, dhe është arritur një përfundim, që adreson dhe shqetësimet e shprehura nga faktorë të tjerë por edhe neovjat legjitime.
Po të mos kishte debate atëherë përse do mblidheshim. Shkëmbyem opinione që nuk janë të gjitha të njëjta. Por nuk ka rëndësi kjo, ka rëndësi cilësia e debatit. Bën diferencën dhe nëse toni apo shkëmbimi i mendimeve të kundërta dhe pozicionimi i kundërt në politikë do të ishte si në Këshillin e Sigurisë do të ishte shumë më e besueshme dhe shumë më e mirë”,-
tha kryeministri Edi Rama për mediat.

Para votimit të ndryshimeve në Kodin Penal, Presidenti Ilir Meta prezantoi disa amendime që përfshinin edhe shqetësimet e organizatave të shoqërisë civile.

Sipas ndryshimeve të votuara sot në Kodin Penal, një qytetar do të dënohej me gjobë deri burg 6 muaj, për shkeljen e masave, ndërsa kur e ka bërë atë në një subjekt tregtar do të jetë deri në 2 vite burg.

Moszbatimi i urdhrit të karantinimit nga mbartësi ose jo i sëmundjes infektive dënohet me 2-3 vite burg.

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve dënohet me burg 2-5 vite.

Ndërkohë nëse shkakton pasoja të rënda me dashje në jetën e njerëzve duke përhapur COVID-19 atëherë dënimi është nga 3-8 vite burg.

Propozimet e Presidentit për ndryshimet në Kodin Penal:

Neni 89/b

Përhapja me dashje e sëmundjeve infektive

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostifikuar si mbartës i sëmundjes, dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohen me burgim nga 3 deri në 8 vjet.

Kur nga vepra, është shkaktuar vdekja e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.

SHKARKO APP