Rama: Vetëm Vettingu është kusht për hapjen e negociatave

Kreu i Qeverisë Edi Rama ka debatuar ashpër me ish-Kryeministrin Sali Berisha  në Kuvend duke ngulur këmbë se ka vetëm një kusht që Shqipëria duhet të plotësojë për të zhbllokuar procesin e hapjes së negociatave me BE-në: Futjen në zbatim të Ligjit të Vettingut dhe Rama e ka sfiduar duke i thënë: “Kjo e ka një test, hajde ta zhbllokojmë ligjin e Vettingut dhe nëse Komisioni nuk e konsideron hapjen e negociatave, jam unë këtu që mbaj përgjegjësi!”

Replika e Ramës qe e detyruar pasi Berisha i vuri në dukje disa herë se arsyeja themelore pse negociatat e vendit me BE-në nuk u hapën qe se Rama “ka shkelur marrëveshjen e votimit konsensual të ligjeve që të kapë drejtësinë.”

BERISHA THA:

Swiss Digital Desktop Reklama

“Shkaku kryesor është shkelja e konsensusit nga ana e tij (e Ramës) dhe konsensusi ishte garancia më e madhe për marrëveshjen. Ka shkelur marrëveshjen e votimit konsensual të ligjeve që të kapë drejtësinë. Atë që s’e bëri dot me Kushtetutë, ta bëjë me ligje të tjera. Edhe Vettinu edhe çdo procedurë tjetër mund të përfshihej në paketën e negociatave dhe të jepej data e të hapeshin negociata. Meqë janë zgjedhjet në mes, mund të hapeshin në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, por data nuk u caktua. Se nuk u besonin, nuk jep paradhënie, nuk ke kredenciale për to.”

Swiss Digital Mobile Reklama

REAGIMI I RAMËS:

Rama: “Ju mund të ngatërroni të pangatërrueshmen, sepse 5 prioritetet, zgjedhjet dhe të tjera me radhë janë “kritere”, nuk janë “kushte” për hapjen e negociatave, që çdo vend i ka në tavolinë deri ditën kur bëhet anëtar i BE. 5 prioritetet do ta shoqërojnë Shqipërinë deri kur të bëhet anëtar i BE-së, se janë 5 shtyllat e ndërtimit të institucioneve të këtij vendi.

Rekomandimi është shumë i qartë: Kërkon çeljen e negociatave me kushtin që të fillojë ligji i Vettingut!

Si ka mundësi që vazhdoni dhe përpiqeni me këmbë e duar që t’i bëni shqiptarët budallenj që t’u besojnë këtyre marrëzive duke thënë se Vettingun e bllokojmë ne, ndërkohë që me vrap e çuat në Kushtetuese dhe aleatët tuaj janë ata që e bllokuan, gjykatësit e korruptuar për të cilët bëhet Vettingu! Kjo bën mu: Jeni bashkë!

Pasi merreni vesh dhe me shumë gjasë – sepse unë s’e kam marr vesh – që Komisioni i Venecias të japë një opinion kundër asaj që doni ju, ju kërkoni të korrigjoni përkthimin! Që të arrini në pikën që të thoni se “është përkthyer gabim ligji dhe do t’ia çojmë prapë Venecias”, kjo është dëshmi e qartë se ju ka dalë frika nga kontrolli! “Është përkthyer gabim nga EURALIU-s dhe e kapët ju me Lulin, gabimin, ju! Me anglishten tuaj të ububushme!

Sa për barcaletat që ti tregon me ambasadorët, unë nuk e bëj atë.

Të jesh i sigurt që në mesin e dhjetorit, Gjermania do të jetë mbështetja kryesore e Shqipërisë (ndërpret fjalën duke iu drejtuar Palokës) – se po më ndërhyn dhe njëri që s’e ka fituar akoma ditën e punës – nuk ka hapje negociatash pa filluar zbatimin e Ligjit të Vettingut!

Kjo do të thotë që ne as e kemi kërkuar dhe as e kërkojmë datën e negociatave në dhjetor se nuk duam asgjë që nuk na takon. Ne duam që Këshilli ta pranojë rekomandimin e Komisionit dhe të filojë zbatimi i Ligjit të Vettingut.

Këto broçkulla  e kanë një test, Sali! Hajde ta zhbllokojmë ligjin e Vettingut dhe nëse Komisioni nuk e konsideron hapjen e negociatave, jam unë këtu që mbaj përgjegjësi!”

Edhe diçka: Të kam parë që flet tani për Kosovën, po kujtohu pak kush i çonte naftën Milosheviçit, kush doli kundër Rambujesë dhe kush fliste kundër UÇK-së. Shko shikohu njëherë në pasqyrë se të del dikush që të ngjan shumë, po se ke qënë më i ri atëherë!” tha Kryeministri duke lënë foltoren.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?