Replikat, Bushati-Berishës: Ndërhy e zhblloko Vettingun! Bumçi: S’ka rrezik rus, s’ka as negociata dhe arsyet i di Rama
Debati për integrimin përfshiu gjithashtu Ministrin e Jashtëm Bushati dhe paraardhësin e tij Bumçi.
Kreu i Diplomacisë shqiptare hodhi poshtë pretendimin e opozitës se një tjetër arsye madhore për të cilën nuk hapen negociatat ka të bëjë me lidhjet e shtetit me krimin.
Bushati i është drejtuar deputetit Berisha duke i kërkuar të mos bëjë zëdhënësin e Bashës, por të ndërhyjë e të zhbllokojë Vettingun.
“Nuk të shkon të bëhesh zëdhënës i Lulit. Nëse mund të bësh dicka zhblloko Vettingun. Zgjedhjet nuk ka nevojë të na i përmendë Merkel dhe Amerika ato janë kriter i Kopenhagen dhe janë prioritet për çdo qeveri. Zgjedhjet janë termometri ynë. Ti i përmend zgjedhjet shpesh sepse si cdo autokrat i ke të deformuara marrëdhëniet me zgjedhjet. Vazhdon flet dhe keqpërdor dhe keqciton raportet tona me Serbnë, Greqinë, Turqinë. U bëre star i mediave ta huaja, bravo të qoftë. Qeveria e kryeministrit Rama për të tretin vit radhazi ka marrë notën 10 për fermat, por edhe për kursin dinamik e konstruktiv në rajon. Do apo nuk do ti qeveria e Ramës është partnerja e BE dhe Amerikës në këtë kënd të Europës Adriatike. Je deputet para se të merresh me rrenacakun dixhital shko në Prokurori. Ti nxjerr lajme me të pavërteta se cdo qeveri, habitem që i referohesh mediave më shumë se vetvetës”- tha Bushati.
Ndërsa Aldo Bumçi kritikoi Kryeministrin në lidhje me paralajmërin e Ramës drejtuar Europës në lidhje me një rrezik të mundshëm të ekstremizmit në Ballkan, nëse rajoni do të mbahet larg BE-së.
Sipas tij, fajtori për mosçeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në është vetë Rama.
“Të besosh se shoku i Visit (Elvis Rroshit) është për Vettingun beson që Rama është Papa. Tani BBC po jep reportazh, Shqipëria kryeqyteti i kanabisit në botë. Cfarë është ky kriter apo kusht? E vërteta është se nuk ka negociata. Rama gënjeu shqiptarët për një gjë kaq të rëndësishme. Pastaj tha ka vetëm një kusht, Vettingu pastaj doli që nuk ka negociata sepse ka 7 kushte. Pse janë zgjedhjet kusht, pse nuk ishin kusht më parë. Zgjedhjet janë problem vetëm tani. Në zgjedhjet e 2015 OSBE ODHIR shtrojnë pyetjen a ishin të lirë shqiptarët nga frika dhe kërcënimi kur votuan. Raporti thotë që kishte banda në vendin e votimit. Nëse Gjermania që është investuar kaq shumë për Shqipërinë detyrohet të thotë jo do të thotë që dështimi është i rëndë, është krimi, droga dhe korrupsioni. Në 2014 u mor statusi i vendit kandidat, por gjërat shkuan më keq pas atij viti. Pse nuk e motivoi këtë kryeministër marrja e statusit që të sillet më mirë po e bëri Shqipërinë kanabis. Vullneti i Europës nuk mjafton. Tha që ka rrezik Rusia të ndikojë zhvillimet në Shqipëri. Shqiptarët janë kombi më pro evropian dhe por amerikan. Ne kemi një zgjedhje që e kanë thënë rilindësit dhe është perëndimi. Nuk ka asnjë rrezik të jashtëm rus në Shqipëri, ka vetëm një rrezik rus dhe ai është regjimi putinist i qeverisë”- tha deputeti i PD-së Aldo Bumçi.
Gjatë këtyre debateve, Qeveria tha se beson që në Dhjetor Këshilli do të mirëpresë rekomandimin e Komisionit, ndërsa shpreson në një raport të ndërmjetëm vitin e ardhshëm për caktimin e një date për hapjen e negociatave.
KOHA JONË SONDAZH

