Replikë me Andi Bushatin: Gjuha lobiste e ndërkombëtarëve, më shumë se rënia e një iluzioni

Nga Petrit Vasili

Gjuha lobiste e ndërkombëtarëve, më shumë se rënia e një iluzioni!

Andi Bushati ka të drejtë kur shkruan për iluzionet, që po bien lidhur me paanshmërinë e arbitrave ndërkombëtarë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por, ndryshe nga Bushati, mendoj se tashmë është koha për të folur qartë për zhgënjimin e mosbesimin ndaj gjuhës lobiste të tyre, pasi iluzionet janë fikur prej kohësh.

Swiss Digital Mobile Reklama

Zhgënjimi ndaj një ideali vlerash dhe paanshmërie, që ndërkombëtarët duhej të përfaqësonin është ndjenja e hidhur që shqiptarët po provojnë prej kohësh.

I dashur Bushat, analiza jote s’ka të sharë, por nuk besoj se e lexojnë ata që ti u drejtohesh sepse ata as dëgjojnë VOA, ZDF, RAI, FRANCE INTERNATIONAL, e as lexojnë Washington Post. New York Times, Frankfurter Allemagne Zaitung, Corriere della Sera, etj etj, që kanë reflektuar jo pak shpartallimin shtetëror që kjo qeverisje ka sjellë.

Përkundrazi, ndërkombëtarët me qëndrimet anti-opozitë duhet të kenë çuditur me zellin e tyre edhe Edi Ramën vetë.

Shqiptarët kanë pritur gjithmonë prej ndërkombëtarëve qëndrime e kritika të forta ndaj kujtdo që atakonte demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Por në vend të kësaj kanë parë të kundërtën.

Shfaqja e tyre si lobistë të Edi Ramës, në vend të këmbënguljes për të mbrojtur reformën në drejtësi të votuar me 140 vota, është pa asnjë dyshim zhgënjimi im më i madh personal, por besoj edhe të gjithë shqiptarëve, që e prisnin me padurim atë.

Kjo reformë, që mbështetej nga 94% e shqiptarëve ia ka lënë vendin zhgënjimit total, ku sot 63% e shqiptarëve nuk e besojnë më atë, bile sipas sondazheve të po atyre organizatave që e mbështetën hartimin e zbatimin e reformës si Fondacioni për një Shoqëri të Hapur (Sorros), ashtu edhe Komiteti i Helsinkit.

Si anëtar i komisionit të reformës në drejtësi kam paraqitur mjaft rezerva serioze në atë kohë për përmbajtjen e saj, por edhe për të ardhmen e zbatimit të saj.

Gjithshka në hartimin e kësaj reforme u dominua jo nga cilësia dhe qëndrueshmëria afatgjatë e saj, por nga imponimi agresiv i ndërkombëtarëve përmes devizës “ose pro, ose kundër reformës”, duke risjellë ndër mend parullën: “ose me ne, ose kundër nesh”, që shqiptarët e kishin parë e dëgjuar vetëm para viteve 90-të, nga Partia e Punës.

Zbatimi i reformës në drejtësi është nje dizastër e plotë, që meritonte shuplaka dhe shqelma dhe jo deklarata entuziazmi të ndërkombëtarëve për gjoja një sukses imagjinar dhe fake të saj në vend të realitetit të kapjes së saj totale nga Rilindja.

Kjo kapje e drejtësisë po e lë Shqipërinë pa sistem drejtesie për vite me radhë, kur një gjë e tillë as duhej imagjinuar, e jo më të ndodhte, qoftë edhe për një sekondë të vetme.

Kapja e reformës nga Edi Rama jo vetëm nuk u ndal nga ndërkombëtarët,

Përkundrazi, ata bekuan dhunimin e Kushtetutës, jo vetëm me deklarata mbështetëse, por edhe me instrumenta si Euralius, siç që zgjedhja e turpshme antikushtetuese e Arta Markut dhe vetingu i Donika Prelës e shumë të tjerëve.

Bllokimi nga Edi Rama i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që u ngrit në respekt të plotë të Kushtetutës, vetëm e vetëm sepse përbërja e tij nuk i pëlqeu dhe i pengonte atij kapjen Edi Ramës, jo vetëm nuk u pengua, por përkundrazi u mbështet nga ndërkombëtarët, duke e goditur me deklatata dhe fake-argumenta, të një stili lobist të qartë, në vend të një qëndrimi institucional e kushtetues.

Ndërkombëtarët me prepotencë imponuan një reformë në drejtësi, duke u përbetuar se do të ishin ata vetë garantët e reformës, ndërsa në fakt, u shfaqën si garantë të kapjes së saj.

Ata u treguan të shurdhër edhe ndaj kontestimeve të vetë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që u fut me imponimin e tyre në Kushtetutë dhe pse-në e kësaj shurdhësie ka ardhur koha që ta shpjegojnë.

Duhet të shpjegojnë edhe pse heshtën që 60% e anëtarëve të KLGJ dhe KLP u kontestuan edhe nga vetë ONM, e megjithatë, u zgjodhën duke rrënuar besueshmërinë e qeverisjes së sistemit të ri gjyqesor gjoja të reformuar.

Departamenti Amerikan i Shtetit deklaron qartë se: “Shqipëria është bërë bazë operacionale për krimin e organizuar për SHBA, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme dhe Europën”.

Ky sigurisht është një lajm i tmerrshëm.

Po ndërkombëtarët në Tiranë çfarë presin akoma? Pse heshtin…?

Mos presin që Shqipëria të bëhet bazë e krimit edhe për Azinë dhe Afrikën, dhe pastaj të flasin?

Por atëherë do të ishte shumë vonë dhe shqiptarëve ju dhimbset atdheu i tyre, ndaj edhe po reagojnë kaq fort sot.

Ndërkombëtarët, që gjejnë kohë të flasin për patatet e kalbura të parlamentit, s’paskan kohë të flasin për këtë përshkallëzim kritik dhe tragjik të krimit të organizuar.

Me të njëjtën gjakftohtësi lobiste ndërkombëtarët trajtuan edhe përmbytjen e Shqipërisë nga kanabisi dhe miliardat që gjeneronte ai.

Na thanë në atë kohë edhe që “Ata nuk merreshin me kanabisin”, pati edhe ca të tjerë, që thanë se 99% e kanabisit ishte asgjesuar, ndërkohë tonelatat e kanabisit vazhdojnë edhe sot.

Ndërsa sot DASH deklaron se: “Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore në Amerikën e Jugut dhe Azi.”

Por as për këtë, ndërkombëtarët në Tiranë, që gjejnë kohë për patatet e kalbura të parlamentit, sërish nuk gjejnë “dot kohë” e fjalë për të dënuar kryeministrin dhe qeverinë, që janë përgjegjësit e vetëm të kriminalizimit galopant, duke i lënë sërish shqiptarët thellësisht të zhgënjyer.

Skandali i një korrupsioni, që qelbet erë nga Tirana deri në Amerikë, si ai Unazës së Re, ku u rrëmbyen 40 milion euro nga korrupsioni dhe kërrkush nuk është para drejtësisë, nuk është pjesë e asnjë deklarate të ndërkombëtarëve thuajse se korrupsioni duhet inkurajuar dhe jo goditur në mënyrë të pamëshirshme edhe prej këtyre ndërkombëtarëve të palodhur për të folur për gjëra nga më pa vlerë.

Të drejtat e njeriut e të pronës dhunohen në mënyrë kriminale që nga banorët e Bregut të Lumit tek Unaza e Re, e anë e mbanë Shqipërisë, bile goditen e dhunohen, arrestohen familje të tëra: gra, fëmijë dhe të moshuar, por ndërkombëtarët me një indiferencë tipike lobiste heshtin….

Kriminelët qeveritarë të votës së zgjedhjeve të 2017-ës janë vërtetuar nga përgjimet e prokurorisë, por ata janë të lirë, qeverisin dhe duan të organizojnë, po këta hajdutër të votës, zgjedhjet që vijnë.

Ndërkombëtarët s’kanë asnjë fjalë dhe për këtë krim gjigand, që ka asgjesuar shtetin.

Përkundrazi, ndërkombëtarët “çuditërisht” thonë: merrni pjesë në zgjedhje, besojini hajdutëve të kriminalizuar të votës, besojini kriminelëve të pandëshkuar, ripërsërisni farsën elektorale të 2017, që zhbëu demokracinë dhe shtetin kryq e themel.

Edhe lobistët më fanatikë do t’ua kishin zili kurajon disa ndërkombëtarëve në Tiranë…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?