Ruçi në Gjenevë: Shqipëria, rritje të bashkëpunimit me OKB në shumë fusha
Në vijim të vizitës së tij në Gjenevë të Zvicrës, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi u prit në një takim nga znj. Afshan Khan, Drejtoreshë rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në UNICEF.
Në këtë takim z. Rucci shoqërohej nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste z. Taulant Balla dhe nga koordinatori i OKB-së dhe përfaqësuesi i PNUD-it në Shqipëri z. Brian Williams.
Gjatë takimit, z. Ruçi vlerësoi faktin që ekipi i OKB-së në Shqipëri vepron sipas konceptit “Një OKB”, një model që Shqipëria e ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë, si një mënyrë më efikase për të bërë ndihmën e OKB-së më efektive duke shprehur besimin se projektet që po zbatohen nën “Një OKB” do të përmbushin prioritetet e vendit, të përfshira në programin e Qeverisë Shqiptare dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020.
Kryetari i Kuvendit nënvizoi mbështetjen për Zyrën e UNICEF-it në Tiranë si edhe për të zgjeruar më tej bashkëpunimin ekzistues dhe avancimin e synimeve të përbashkëta dhe programeve të bashkëpunimit midis Qeverisë së Shqipërisë dhe UNICEF-it.
“Shqipëria, si një vend kandidat për anëtarësim në BE, është shumë e interesuar që programet e bashkëpunimit me UNICEF të jenë tërësisht të pajtueshme dhe pjesë e strategjisë së zhvillimit të Qeverisë Shqiptare, në mbështetjen e reformave të gjithanshme të Shqipërisë drejt integrimit në BE. Në fakt, dokumenti i Programit të Kombeve të OKB-së është plotësisht në përputhje me prioritetet shqiptare për të forcuar qeverisjen për barazi sociale. Shqipëria është mes shteteve që janë të përkushtuara për të mbrojtur dhe promovuar të gjitha të drejtat e njeriut dhe mbështet integrimin e dimensionit të të drejtave të njeriut në agjendën e Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës. Mbrojtja dhe nxitja e të drejtave të njeriut është një mjet efektiv në ndërveprimet diplomatike brenda organizatave ndërkombëtare dhe në krijimin e një imazhi pozitiv për vendin. Ne theksojmë angazhimin e institucioneve shqiptare për përmirësimin e vazhdueshëm të të drejtave të njeriut në përputhje me detyrimet ndërkombëtare. Si anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2015-2017, Shqipëria ka kontribuar në mënyrë aktive në diskutimet për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht në vendet ku shkelen të drejtat e njeriut”,- tha ndër të tjera Kryetari i Kuvendit gjatë takimit.
Një pikë tjetër e takimit ishte edhe zhvillimi i politikave për arsimimin e fëmijëve ku z. Ruçi u shpreh Shqipëria miratoi në janar 2016 strategjinë e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar, i cili synon arsimim më të mirë, përmirësim të kurrikulave dhe kushte më të mira të shkollimit. Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve po kontribuon në forcimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe ka përcaktuar udhëzime të reja të strategjisë për Planin e ri të Veprimit për Fëmijët për periudhën 2016-2020.
KOHA JONË SONDAZH

