Sakrifica për në BE, Vuçiç: Me shqiptarët marrëveshje paqeje për 200 vjet
Serbia tashmë duket se e ka kuptuar që të aderojë në BE, i duhet të gjejë gjuhë e përbashkët me shqiptarët. Presidenti Aleksandar Vuçiç, në një intervistë për “Associated Press”, thotë se koha e konflikteve mes serbëve dhe shqiptarëve, duhet të marrë fund.
“Me shqiptarët mendoj se na duhet marrëveshje afatgjate e paqes për 200 vitet e ardhshme”, vijoi me tej Vuçiç, duke shtuar se të gjitha palët “do të duhet të bëjnë disa lëshime”.
Vuçiç po ashtu premtoi se do ta çojë Serbinë në BE, ndërsa theksoi se për këtë arsye ka nisur edhe bisedimet me Kosovën.
“Kemi konflikt të ngrirë prej shumë vitesh. A është mirë ta kemi këtë konflikt të ngrirë edhe për 50 apo 100 vitet e ardhshme? Nuk mendoj se është kështu. Kjo është arsyeja përse kam nisur diskutimet e brendshme”, deklaron ai.
BE-ja po ndërmjetëson bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve dhe shumë në Europë besojnë se Serbia do të duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës përpara se t’i bashkohet bllokut.
KOHA JONË SONDAZH

