Shenjtërimi i Nënë Terezës, Kryemadhi: Ne jemi lapsi me të cilin Zoti shkruan historinë!
5 shtatori, dita e “Shën Terezës”, është uruar nga politikanët kryesorë shqiptarë. Presidenti i vendit, Ilir Meta, në një reagim në rrjetet sociale u shpreh se kjo ditë është një ditë përkujtimi e respekti mbarëkombëtar.
Po ashtu edhe kryeministri Edi Rama, është shprehur se fjalët e Nënë Terezës, e ndihmojnë në vështirësitë e jetës.
Reagimeve të politikës i është shtuar edhe mesazhi i Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila i kujton shqiptarëve shprehjen e madhe të Shën Terezës: Ne jemi lapsi me të cilin Zoti shkruan historinë!

““Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Për sa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.”
Sot përkujtojmë e kremtojmë Shën Nënë Terezën, bijën shqiptare e misionaren e madhe.
Për të gjithë ne shqiptarët ky është një çast gëzimi të pafund, si dhe i një krenarie legjitime, kur kujtojmë se si një grua “e vogël” diti ti thotë botës së madhe se Dashuria mund të fitojë mbi çdo situatë, sado e vështirë dhe e pamundur për tu jetuar apo realizuar të duket ajo.
“Ne jemi lapsi me të cilin Zoti shkruan historinë!” – mos ta harrojmë e ta bëjmë motiv në jetë këtë frazë të kësaj gruaje të papërsëritshme. ????”- shprehet kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në reagimin e saj.
Me rastin e kësaj feste kanë reaguar edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

KOHA JONË SONDAZH

