Shtyhet seanca në Kuvend. PD: Do qëndrojmë në sallë deri në orën 18:00
Seanca e Kuvendit që pritet të niste në orën 13:00 është shtyrë për në orën 18:00. Deputetët e PD kanë deklaruar se do të qëndrojnë në sallë deri sa të nis debati për reformën zgjedhore.
Pasi ka konstatuar se deputetët e PD-së kanë vendosur të mos e lëshojnë foltoren e parlamentit, në pritje të nisjes së seancës dhe debatit për komisionin e Reformës Zgjedhore, Ruçi ka vendosur ta shtyjë seancën për në orën 18:00.
Kjo është shtyrja e pestë për sot, pas tensioneve të krijuara në Kuvend, ku opozita kërkoi me ngulm, debatin për komisionin e Reformës Zgjedhore dhe mazhoranca e rfuzoi, sepse “ishte e papërgatitur”.
Seanca e Kuvendit u ndërpre pasi kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka përjashtuar kryetarin e PD-së Lulzim Basha nga seanca për ‘pushtimin’ e foltores. Ruçi hodhi poshtë kërkesën e PD-së për debatin për komisionin e reformës zgjedhore pasdite, ndërkohë që me votim u vendos që ky diskutim të shtyhej për javës tjetër. Ndërkaq më herët, Ruçi njoftoi ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore. Komisioni do të jetë dypartiak, do të trajtojë rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe propozimet e partive që kanë marrë në zgjedhjet e fundit jo më pak se 1 për qind të votave.
“Përbërja e komisionit do të jetë e barabartë mes shumicës dhe pakicës. Komisioni do drejtohet nga dy bashkëkryetarë të PD dhe PS, Blendi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi. Ndërkohë, ekspertë ndërkombëtarë janë të ftuar”, deklaroi Ruçi. Kryetari i Kuvendit shtoi se vendimet do të quhen kur të votohen nga të gjithë anëtarët dhe të kenë marrë konsensusin e bashkëkryetarëve.
Ndër të tjera Ruçi ka bërë me dije se, ditën e djeshme Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e Kuvendit. Njoftimi i Ruçit u pasua nga debati mes krerëve të grupeve parlamentare Taulant Balla dhe Edmond Spaho. Ky i fundit kërkoi debat për çështjen, ndërsa Balla e refuzoi këtë kërkesë me argumentin se debati do të bëhet në komisionet parlamentare.
Në vijim të seancës fjalën e mori kryetari i PD, Basha, i cili kërkoi nga kryetari të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të caktuar zhvillimin e dabtit sot pasdite dhe i bëri thirrje atij që të mos vendosë me forcën e kartonëve. “Jeni një mazhorancë fiktive, në aleancë me krimin. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë. Mblidh Konferencën e Kryetarëve dhe vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet debati për një javë. Shtyrja e debatit ka vetëm një qëllim, t’i mbyllësh gojën opozitës”, tha Basha. Nga ana e tij Ruçi sqaroi se, nuk ka sens të mblidhet Konferenca kur Parlamenti është mbledhur për rendin e ditës.
KOHA JONË SONDAZH

