Skenari i PD-së? Boçi për ”KJ”: Revolta e shqiptarëve kërkon finalizim
Redjon Shtylla

Protesta e së shtunës e opozitës dhe e qindrave e mijërave shqiptarëve, që rrethoi për tre herë Kryeministrinë dhe shkaktoi trazira para Kuvendit, trubulloi qeverinë dhe mori jehonë Ndërkombëtare. Një sinjal ky edhe për Ndërkombëtarët të cilët hera-herës anashkalojnë raportet e huaja, si DASH që saktësoi influencat e krimit tek zgjedhjet e 2017. Të gjithë pyesin se çfarë do të bëjë më jep opozita? Opozita thotë se protestat nuk do të ndalin por pa dhënë shumë detaje sesi do të realizohen zgjedhjet e parakohshme pa Edi Ramën si Kryeministër.
Në një prononcim për ”Koha Jonë”, ish-deputetit të PD-së Luçiano Boçit, i drejtuam këtë pyetje, duke u munduar që të kuptojmë më shumë për skenarin e PD-së: PD dhe opozita, flasin për një stinë protestash, ku skenarët për përshkallëzim nuk kanë munguar edhe pse në terren situata pas çdo proteste duket e qetë. Ju kërkoni rrëzimin e Ramës por si do të ndodh, pasi PD ka realizuar një sërë protestash? Si do të shkohet në zgjedhje të parakohshme?
Boçi thotë se protesta ka një mjet kulmor por pa dhënë shumë detaje. Ai thotë se qytetarët kanë një kufi dhe se zemërimi i tyre ka përmasa biblike por siç ai thekson, revolta e tyre kërkon finalizim. Ai shprehet me këmbëngulje se protestat do ta shkulin Ramën nga pushteti.
”Protesta është një mjet demokratik dhe kulmor njëkohësisht. Vetë protestat kanë format e tyre të shfaqes. Deri më tani kemi parë disa. Ka dhe të tjera. Por dhe ato kanë një kufi dhe qytetarët nuk do presin ti vijë mendja nga zëri i tyre, një të pamendi i cili bën çdo gjë për të ruajtur karrigen e tij. Zemërimi i tyre ka përmasa biblike dhe revolta e tyre kërkon finalizim. Protestat do ta shkulin Ramën nga pushteti në një mënyrë apo tjetër”,-thotë Boçi për ”Koha Jonë”.
Ish-deputeti thekson se opozita dhe qytetarët nuk kërkojnë vetëm rrëzimin e qeverisë por përmbysjen e një sistemi të mbështetur tek krimi. ”Ajo që kërkohet nuk është thjesht rrëzimi i tij por dhe përmbysja e një sistemi të mbështetur në shitblerjen e votës, në kontributin e krimit dhe në abizimin me qeverisjen”,-thotë Boçi. Ai nënvizon dhe kërkesën e qytetarëve. ”Qytetarët kërkojnë që vullneti i tyre të shprehet saktë nëpërmjet një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm”,-thotë Boçi në prononcimin e dhënë për ”Koha Jonë”.
KOHA JONË SONDAZH

