SPAK-u po hyn në HISTORI!
Sot kreu i SPAK, Altin Dumani, ishte para komisionit parlamentar të ligjeve.
Ai foli qartë, prerë dhe saktë. Nuk la asnjë hamendje që mund të rrëshqiste mes fjalëve, aq me tepër kur je para politikanëve të opozitës dhe pozitës, përherë mediat krijojnë dyshime apo përceptime sipas orientimit politik që kanë pronarët e tyre.
Edhe pyetjet e bëra në komision kishin hapësira për ta ç’orientuar kreun e SPAK, por realisht Altin Dumani ishte korrekt me çfarë tha. Ai di të flase troç.
Kreu i SPAK deklaroi në mënyrë ultimative se nuk ka njeri që i bën presion atij në punën si prokuror dhe si drejtues i prokurorisë së posaçme.
Nënkuptohej, pa i përmendur me emra, se ishin Sali Berisha dhe Ilir Meta. Por Dumanit, kush e njeh nga afër si prokuror, nuk guxon as kryeministri e presidenti t’i bëjnë presion.
Altin Dumani nuk hezitoi të fliste hapur para publikut se ka disa drejtues të policisë së shtetit që bashkëpunojnë me krimin dhe kjo mbetet ulëritëse, sepse nga policia qytetarët duan ndëshkimin e banditëve dhe jo që kriminelët të ndihmohen pikërisht nga drejtues të lartë të policisë.
SPAK ka firmosur disa urdhër arreste për policinë e Shtetit, dhe me sa duket prokurorët e SPAK janë shumë të kujdesshëm kur hetojnë në bashkëpunim me policinë, sepse kanë frikën e nxjerrjes së sekretit hetimor.
Është e tmerrshme se si mund të guxojë një drejtues policie të punojë për krimin dhe jo për shtetin.
Me sa duket, nga ajo që tha Altin Dumani, duhet të kemi edhe drejtues të tjerë në policinë e Shtetit të cilët mund të arrestohen.
SPAK-u është në ofensivë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Por edhe prokurorët janë njerëz e jo alienë, ata duhen inkurajuar nga publiku dhe politika, ndonëse publiku në të vertetë ka besim në nivele të larta të SPAK-u. Prokurorët e Posaçëm kanë nevojë për mjedise pune dhe ndihmës në numër më të madh sikurse e mira do të ishte që kërkesat e tyre për ripërtëritje mandati (kush e dëshiron) të miratohen nga parlamenti, natyrisht që duhen 94 vota deputetësh, pra pozita dhe opozita.
Kjo politikë, nga të dyja anët, i ka marrë frikë dhe mëri prokurorët e SPAK, e mezi presin të ikin nga ajo detyrë, ndonëse edhe prokurorët nuk ia përtojnë dhe po firmosin fletë arreste pa ndrojtje.
Nëse siç flasin publikisht nëpër takime e mitingje, se janë për ndëshkimin e klasës politike të korruptuar, duhet që parlamenti ta votojë këtë ndryshim kushtetues që këtë vit, pra t’ju plotësohet kjo kërkesë e logjikshme dhe ligjore.
Altin Dumani flet në emër të SPAK, ndaj ai tha sot se paratë e krimit të organizuar dhe indirekt të klasës politike të korruptuar, janë pastruar dhe po pastrohen në ndërtim, resorte turistike, kulla, etj si në Tiranë, Vlorë, Sarandë, Durrës, Lezhë,etj.
Përderisa Dumani e theksoi këtë gjë duhet të kenë dosje nën hetim për politikanë, oligarkë apo mediatikë që kanë hedhur dhjetra milionë euro në këtë fushë dhe në këto zona. Dhe e verteta mbetet siç pohoi Altin Dumani, para e madhe po pastrohet.
Publiku pret nga ai dhe prokurorët e SPAK arrestimin dhe sekuestrimin e pasurive të tilla të krijuar nga pastrimi i parasë së zezë kriminale.
Dumani foli në emër të prokurorëve të SPAK para deputetëve pa iu dridhur syri, sepse misioni dhe detyra e tyre është pikërisht të hetojnë deputetët, kryebashkiakët, ministrat, kryeministra, president dhe zyrtarët tepër të lartë.
Ata kanë arrestuar dhe po hetojnë politikanët me të lartë të këtyre 33 viteve. Dhe që pritet të kemi lajme të reja nga kjo hierarki…
Ndaj SPAK dhe BKH-ja po bëjnë histori dhe po nguliten në HISTORI.
Nëse nuk ndikohen nga politika dhe klanet rivale në politikë e në media, atëhere historia do të vijë pas tyre!/S.P./