Spiropali: Të rinjtë janë pasqyrimi i librave që lexojnë
Me nismë të Sekretariatit për Rininë në Partinë Socialiste është zhvilluar sot takimi i parë i klubit ‘Profesionistët e Rinj’. Kjo strukturë e ngritur ka si qëllim identifikimin dhe mobilizimin e të rinjve të profesioneve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, me një eksperiencë të suksesshme në fusha të ndryshme, për t’i dhënë një vlerë të shtuar Partisë Socialiste dhe vendit në tërësi. Gjithashtu, ky klub do të shërbejë për ndërtimin e një kanali komunikimi me profesionistë të sektorëve të ndryshëm për të sjellë idetë më të mira në Partinë Socialiste.
Projektet më të mira që do të prodhohen nga grupet përkatëse, do të përkthehen në dokumente të rëndësishme për Partinë Socialiste, e më pas për strukturat në qeveri e Bashki.
Sekretarja e Rinisë në Partinë Socialiste, znj. Elisa Spiropali, duke i falenderuar për pjesëmarrjen dhe angazhimin konkret të këtyre të rinjve, tha ndër të tjera se: “Të rinjtë janë dimension i së ardhmes, pasqyrim i edukimit që marrin në shkollat tona, i librave që ata lexojnë. Të rinjtë kanë dëshira dhe ëndërra fisnike. Janë këto ëndërra që e çojnë botën përpara”.
Në këtë takim ishin të ftuar sekretari për Organizimin Digjital në Partinë Socialiste z. Alfred Peza, deputeti z. Ervin Bushati, si edhe nënkryetari i Bashkisë Tiranë z. Arbjan Mazniku.
KOHA JONË SONDAZH

