Strategjia e PD të largojë socialistët. Protestë dhe bllokim i Kuvendit
Partia Demokratike zyrtarisht ka një strategji të re. Mëngjesin e sotëm, të gjithë deputetët e opozitës u ”rreshtuan” në Komisionin e Medias, ku kryetarja e këtij komisioni, deputetja e PD-së Albana Vokshi e nisi me çështjen Xhafaj, paçka se në rendin e tij ishte diçka tjetër. Deputetët e PD-së hodhën akuza ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ku kërkuan dorëheqjen, pasi faktet e përfshijnë dhe implikojnë atë.
”Nuk është e zakonshme, ka prezencë të shtuar të grupit parlamentar të PD dhe qëllimi jonë është të shprehim gjendjen në të cilën është vendi. Në radhë të parë duhet të jeni ju deputetët e Vlorës pasi organizata kriminale që kanë gjetur strehë në këtë qytet duhet ti luftojmë bashkarisht dhe ti hapim vendit rrugën për integrim europian. Nuk shkohet në Europë me kriminelë, prandaj mos më ndërprisni. Ministri i Brendshëm duhet të dorëhiqet, prandaj nuk do të ketë punë normale të këtij Parlamenti, as komisione derisa ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen, pavarësisht zhurmës që bëni ju”, tha Edmond Spaho, kreu i grupit parlamentar të PD-së, teksa fliste për Xhafajn.
Mbledhja nisi me tension pas qëndrimit të PD-së për të folur vetëm për video-përgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, por e kundërshtuar nga deputetët e PS-së, pasi çështja sipas tyre nuk i përket rendit të ditës. Deputetët e maxhorancës braktisën Komisionet. E njëjta situatë ndodhi edhe në Komisionin e Ekonomisë, ku aty deputetët folën vetëm për çështjen Xhafaj.
Pas kërkesës së PD-së, se nuk do të ketë seancë normale të punimeve të Komisioneve dhe të Kuvendit, kjo derisa ministri Xhafaj të japë dorëheqjen, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla mblodhi deputetët socialistë. Mësohet se Balla u ka kërkuar socialistëve të miratojnë çdo akt të parashikuar në mbledhjen e komisioneve, pavarësisht zhurmës së opozitës.
”Kemi përgjegjësinë për të qeverisur vendin. E dimë që PD kërkon të bllokojë rrugën tonë europiane. Por ne duhet të vijojmë përgjegjësinë tonë. Komisionet sot të vijojne sipas axhendës”, mësohet të jetë shprehur Balla.
Nga ana tjetër, Basha pas mbledhjes me aleatët, ka vendosur që nesër të mbahet një protestë tek Ministria e Brendshme, dhe seanca e së enjtes nuk do të jetë e qetë.
Redjon Shtylla/Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

