Tabaku kundër Denar Bibës: Qeveria po i var mëlçitë ujkut në qafë!
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka dalë kundër kandidaturës së Denar Bibës për të marrë drejtimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Deputetja demokrate ka akuzuar Denar Bibën se ka shkuar deri në Strasburg dhe u ka bërë shantazh gjyqtarëve lidhur me ligjin e pronave të Shqipërisë.
Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku u shpreh se me votimin e tij, finalizohet dhe procesi i kapjes së institucioneve.
“Autoriteti i Konkurrencës është institucioni kryesor për mbrojtjen e konkurrencës në treg. Ky institucion ka dështuar. Ne në komision presim kryetaren e Autoritetit të konkurrencës dhe sot e dy muaj është ende e infektuar me koronavirus. Nuk kemi asnjë vendim në të mirë të qytetarëve për rritjen e çmimeve të ushqimit. Në rolin e këtij institucioni, sot në ditën e luftës kundër korrupsionit, Kuvendi do të miratojë zotin Denar Bibën. Unë nuk e njoh fare zotin Denar Biba dhe nuk e kam takuar asnjëherë. Por unë di pozicionin e tij që shkoi në Strasburg për t’i bërë shantazh gjykatësve për të mbrojtur ligjin antikushtetues të pronave në Shqipëri. Di raportet ndërkombëtare të BE, Gjykatës së Auditit, Departamentit të Shtetit që sot sektori më i korruptuar ai i Prokurimeve Publike. Atij i kanë kërkuar të bëjë diçka dhe ai e ka bërë. Sot qeveria po i var mëlçitë në qafë ujkut”, tha Tabaku.
KOHA JONË SONDAZH

