Tabaku: Nuk do ketë zgjedhje pa opozitën
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 tregoi planin e opoztës për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sipas saj, firmosja e koalicionit opozitar nga partitë aleate të PD-së është një shembull që tregon vullnetin e opozitës për t’i thënë stop zgjedhjeve fasadë në Shqipëri.
Tabaku është e sigurt se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën. Nëse opozita nuk bëhet pjesë e tyre, as zgjedhjet nuk do të zhvillohen, shprehet ajo.
“Kur të vjen fundi politik përdor gjithë arsenalin që të ka mbetur, por këtë radhë Rama është i vetëm. Është figurë e djegur politike, cikli i tij ka përfunduar. Ai nuk do ta çojë dot vendin në zgjedhje pa opozitën. Nuk ka zgjedhje fasadë, nuk kanë për të zhvilluar zgjedhje pa opozitën. Me rritjen e presionit dhe izolimin e qeverisë do vijë dita për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë rast pretendimet tona janë të drejta. Mund të duket utopi, por vendosja e një sistemi të ri, ecja përpara një rruge të pashkelur është një zgjidhje për shumë shqiptarë”,- u shpreh Tabaku.
Më tej ajo ka komentuar edhe krijimin e partisë më të re opozitare Bindja Demokratike, për të cilën tha se nuk duhet të shërbejë si një opozitë false.
“Interesi publik duhet vendosur përpara atij personal. Kushdo forcë politike që punon për të larguar Ramën është i mirëpritur. Uroj që Patozi ta provojë veten në garë, të provohet si forcë politike. Ka ardhur momenti ashtu siç u bashkuan partitë opozitare, të mos lëmë jashtë asnjë vlerë, këdo që ka vlera të bashkohet me ne. E keqja është një, e keqja po na qeverisë. Por kush i jep oksigjen Ramës është pjesë e një opozite false”,- sqaroi ajo.
KOHA JONË SONDAZH

