Tirana feston Ditën e Verës, Veliaj ka një mesazh për opozitën
Tirana ka festuar sot ditën e verës, pasi data 14 mars ishte ditë me shi. I pranishëm në aktivitetet ishte edhe kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili gjatë fjalës së tij, nuk la pa përmendur edhe protestën e djeshme të opozitës.
”Unë dua ti falënderoj të gjithë qytetarët e Tiranës që dje u distancuan nga aktet e dhunës, të zjarrit, të hurit dhe litarit dhe sot demonstrojnë atë që Tirana është vërtet. Tirana përtej të majtës dhe të djathtës, përtej PD dhe PS e do jetën e do shtetin, e do artin dhe kulturën. Ndaj dhe për këtë Tiranë edhe për fëmijët e këtij qyteti, që nuk ka fare rëndësi çfarë bindjesh kanë prindërit, po në këtë qytet punohet njësoj për të gjithë. Ndaj mesazhi që japim për Ditën e Verës është hajde të fokusohemi tek gjërat që na bashkojnë, hajde të fokusohemi tek një Tiranë që po bën progres, hajde të fokusohemi tek dashuria, paqja dhe jo për tu përçarë dhe dhunuar një qytet që mezi ne e ndërtojmë. Qyteti nuk e pranon bulizmin, nuk e pranon dhunën, pavarësisht se nga cili qytet vijnë”.
Nuk la pa goditur edhe bashkitë që drejtohen nga të djathtët, si Shkodra, Lezha, Pogradeci, Burreli dhe u ndal edhe në Kamëz, bashki të drejtuara nga të zgjedhur të Partisë Demokratike. “Ata që erdhën për ekskursion, i bëj një pyetje, sa mirë pastrohet qyteti nga vini? Sa mirë janë shkollat dhe çerdhet nga qytetet nga vini, për të dhunuar Tiranën? Në Kamëz si është lumit, atje, si është në Tiranë, sa ngrohje kanë shkollat në vendin tuaj? Dikush lë qytetin në mizerje dhe vjen të dëmtojë Tiranën, ne nuk e lejojmë. Përgjigjja jonë nuk është me dhunë, është me paqe, me gëzim”, u shpreh Veliaj.
Forca nuk ka përsë të tregohet me dhunë – tha Veliaj – duke u shprehur se përgjigjja më e mirë që i jepet protestës së opozitës, është pjesëmarrja e qytetarëve në aktivitet festive sot në Tiranë për Ditën e Verës. “Nuk kemi askujt kujt t’i tregojmë forcën, fakti që jemi trefish i ekskursionit të djeshëm na bën krenar”, theksoi kryetari i bashkisë.
Në përfundim, Veliaj u shpreh në një prononcim për mediat, se ka marrë mesazhe edhe nga demokratë, të cilët i kanë thënë se me skenat e dhunës dje në protestën e opozitës, vota e tyre do të shkojë për Erion Veliajn. “Miqtë e mi demokrat më kanë thënë s’të kam votuar herën e parë do të votoj tani nuk bashkohem me ata që shkatërrojnë. Socialistë dhe demokratë duan një Tiranë që ecën përpara”, tha kryebashkiaku Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

