TVSH-ja për biznesin e vogël, Rama: Nuk rriten çmimet. Basha: Je çoroditur komplet
Futja e biznesit të vogël në regjimin TVSH, është bërë ”mollë sherri” mes maxhorancës dhe opozitës. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka nisur një takime me përfaqësues të biznesit të vogël, ndërsa këtë lëvizje të qeverisë e quan “çmendur”.
Por për qeverinë e drejtuar Edi Rama, TVSH-ja për biznesin e vogël nuk do të sjellë rritje të çmimeve, çka mund të bjerë në kurriz të konsumatorëve. Rama ka shpërndarë një status në deputetit socialist, Erion Braçe, i cili akuzon liderin demokrat se po mbron informalitetin e biznesit të madh.
“Lulzim Basha po u shërben oligarkëve që kanë kapur ekonominë në këtë vend! Propozimi i tij për një prag unik në 12 milion lekë (të reja) xhiro në vit, nuk i çliron të vegjlit nga frika e pragut aktual që i shtrëngon të mos “i bien kasës”, shprehet Rama. Jo! Nuk bëhet fare fjalë për këta “te vegjël”, kur flitet për evazionin në skemën e TVSH. Bëhet fjalë për ata të mëdhenj që kanë krijuar të vegjlit e tyre në letër, apo ata “të vegjël” në letër që janë thuajse prej vitesh të mëdhenj. Pragu i Lulzim Bashës në 12 milionë, i krijon gjithë këtij rreshti të madh të evazionit, mundësinë e artë të mos marrin nipte e as të fshihen mundimshëm pas nipteve sekondare, por të krijojnë fiktivisht biznese të tjera “të vogla”, që do kenë një xhiro deri në 12 milion. Kjo është skema që po kërkojnë oligarkët dhe Lulzim Basha po lobon në emër të tyre, duke përdorur të vegjlit”, vijon kreu i qeverisë.
Ndërsa kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi, pas mbledhjes së grupit deklaroi se “lufta kundër informalitetit nuk bëhet duke goditur biznesin e vogël”.
“Propozimi ynë është ky: biznes i vogël të konsiderohet çdo biznes nën 12 milionë lekë të reja. Ky lloj biznesi të mos paguajë taksa. Nëse ka oligarkë që maskohen në biznese të vogla, siç thuhet, çfarë përgjegjësie mbajnë këta? Oligarkët fshihen në zyrat e kryeministrit. Lufta kundër informalitetit nuk bëhet duke goditur biznesin e vogël”, tha Basha, i cili shtoi se edhe FMN-ja është kundër futjes së TVSH-së te biznesi i vogël.
“Futja e biznesit të vogël në TVSH nuk ndihmon në formalizimin e ekonomisë, por do të rrisë çmimet dhe do të ndihmojë që oligarkët të bëhen të pakontrollueshëm në treg”, theksoi Basha.
KOHA JONË SONDAZH

