Veliaj në Shëngjergj: Këtë mandat do të mbulojmë çdo cep të çdo fshati
Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Tiranën, Erion Veliaj zhvilloi një takim në Shëngjergj, ku pasi mbolli disa pemë me banorët e zonës, tha se falë investimeve distanca me kryeqytetin është shkurtuar mjaft, çka e ka kthyer Shëngjergjin në një destinacion të shkëlqyer për fundjavat.
“Është nder ta fillojmë këtë garë nga kurora e Tiranës. Sot, për të gjithë ata që janë në Shëngjergj, është bërë pak më kollaj të vish. Sot, për dikë që vjen në një bujtinë, është bërë më kollaj të mbërrish. Sot, për dikë që do të kalojë mirë një fundjavë, është bërë më e këndshme të jesh këtu. Ndaj, për të gjithë ata njerëz duarartë, për të gjitha ato zemra e shtëpi të hapura dhe për të gjitha atë punë të jashtëzakonshme që bëhen në Shëngjergj, duke filluar nga administrator, deri te punonjësi i fundit që mbjell pemë, kam një falenderim zemre,” u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se ashtu siç është punuar deri më tani, duke shkruar deri në qendër të ish komunave, do të vijojë puna deri në fshatin më të fundit. Ai dha lajmin e mirë shumë shpejt nis puna për rrugën e re nga Vërria në Shën Mëri.
“Me gjithë punët që kemi bërë kemi mbërritur deri në qendrat e çdo ish komune. Kemi vënë dorë në qendër të Krrabës dhe tani jemi duke punuar për degëzimet, deri në fshatin më të fundit. Kemi mbërritur në qendër të Zall-Herrit dhe tani po punojmë në Çekrezë dhe Kasallë, që të mbërrijmë deri në cepin më të fundit. Kemi mbërritur në qendër të Vërrisë, ku kemi bërë shkollën e re këtu. Në kohët e vjetra dukej sikur ishte fundi i botës kur ti thoje do shkoj në Zall-Bastar, do shkoj në Shëngjergj, ti mendoje se do merrje plaçkat dhe do shkoje në zbor, ndërkohë sot të shkosh në Shëngjergj ose në Zall Bastar për drekë, të vish në Vërri ose të shkosh në një nga zonat e kurorës, është vërtet një fundjavë e bukur. Besoj se është akti më patriotik që mund të bësh pasi ndihmon një vëlla ose një motër që ka hapur një biznes, një restorant apo një bujtinë dhe po punon me djersë dhe ndershmëri në tokën e tij”, deklaroi Veliaj.