Veliaj pret kryebashkiakun e Mikonos: Mësojmë nga më të mirët për rritur turizmin e qëndrueshëm në Tiranë
Në mbyllje të vitit kur Tirana mbajti titullin “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, kryebashkiaku Erion Veliaj priti në takim homologun e tij, kryebashkiakun e Mykonos, Konstantinos Koukas. Ata diskutuan për suksesin që Tirana pati si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” dhe për projektet e përbashkëta që përfshijnë gjeneratën e re.
“Aseti numër një i një qyteti janë njerëzit e tij, janë të rinjtë dhe të rejat, ata që kanë shpirtin e sipërmarrjes, të cilëve do t’u kalojmë stafetën nesër. Unë besoj se djemtë dhe vajzat e rinj në Shqipëri, në Greqi, në Itali, në gjithë rajonin tonë, nëse lidhen me njëri-tjetrin, nëse komunikojnë me njëri-tjetrin, nëse krijojnë projekte të përbashkëta, atëherë sigurisht që rriten në harmoni. Pikërisht, kjo i duhet gjeneratës që vjen, jo mëritë e së kaluarës, por kokën nga e ardhmja, projekte për të ardhmen dhe plane sesi ky rajon, që është kaq i bekuar, mund të ketë edhe një shoqëri të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku solli në vëmendje faktin se në fushën e turizmit, Tirana dhe të rinjtë e saj kanë shumë për të mësuar nga puna që bëhet në Mykonos.
Nga ana tjetër kryetari i Bashkisë së Mykonos, Konstantinos Koukas, vlerësoi Tiranën dhe punën që ka bërë kryetari i Bashkisë.