VIDEO/ Rama inspekton rrugën Peshkopi-Ura e Cerenecit: Dibra, tashmë veriu i kryeqytetit

Kyeministri Edi Rama inspektoi rrugën që lidh Urën e Cerenecit me Peshkopinë, një segment i rëndësishëm që plotëson Rrugën e Arbrit duke shkurtuar edhe më tej distancën mes Dibrës dhe Tiranës. I shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri dhe kryetari i bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, kryeministri bashkëbisedoi po ashtu edhe me disa banorë të zonës të cilët vlerësuan investimet e qeverisë për këtë qark.
”Çfarë t’u them për dibranët, matjanët e bulqizakët, për ta paska qenë kjo punë se me Tiranën u puthitët, me Librazhdin, Pogradecin e Korçën u puthitët. Tani çfarë t’ju bëjmë më shumë”, tha Rama, ndërsa kujtoi se për shumë kohë kjo zonë ishte në izolim. ”Edhe për ata që thonë jo po pse në jug, jo në veri ju kujtoj se Dibra nuk është në jug. Dibra është veriu i kryeqytetit tani se u afrua shumë, por është verilindja e Shqipërisë që të jemi shumë të qartë”.
Duke folur për investimet në këtë qark, Rama tha se tani mbetet që të gjithë së bashku të fusim Shqipërinë në BE. ”Për ju paska qenë kjo punë. Me Rrugën e Arbrit dhe Tunelin e Murrizit u bëtë pjesë e Tiranës. Tani edhe rruga për të dalë në Korçë e në Pogradec te liqeni. Çfarë të bëjmë më shumë? Nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë se sa të fusim Shqipërinë në BE”, tha Rama.
Kryetarja e bashkisë Bulqizë u shpreh se banorët e kanë pritur prej shumë kohësh këtë rrugë, pasi është një trampolinë për këtë zonë duke qenë se i shërben edhe Dibrës, edhe Burrelit dhe Klosit. Edhe kryetari i bashkisë Dibër, Rahim Spahiu vlerësoi po ashtu mbështetjen e dhënë nga qeveria.