Ylli Manjani: Drejtori i Tires…

Nga Ylli Manjani

Drejtori i Tires…
=======
“Korrupsioni në sistemin shëndetësor është një sëmundje botërore.” – thotë drejtori i zonjës Tire pra i spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Bie dakord me konstatimin e drejtorit të zonjës Tire, por duhet të saktësojmë se:
1. Në asnjë sistem shëndetësor perëndimor të korruptuar, nuk ka Tire. Kudo ku spitali nuk ka mundësi të ofrojë shërbimin mjekësor të adreson në një spital tjetër, por nuk të lë në dorë të Tires! Por raste që pacienti apo familjari paguan mjekun apo infermierin, le pastaj pastruesen, nuk kemi dëgjuar.
Fundja e lëmë krahasimin me botën, le ta krahasojmë me spitalet private këtu në vend. Nuk ka Tire në asnjë spital privat!
2. Korrupsioni në sistemet e sotme shëndetësore kërkohet tek skemat e sigurimeve apo tek marrëdhëniet me kompanitë farmaceutike, por jo tek Tiret. Tiret bota i ka sqaruar me kohë, sepse i paguan mirë dhe i tregon vendin e punës për të cilin i kërkon hesap.
Nuk ka spital në botë që lë pastruesen të kujdeset për pacientët dhe të daravisë infermieret me paratë e korrupsionit!!!
3. Në çdo spital apo institucion shëndetësor të shëndetshëm, kur zbulohet një Tire, drejtori jep dorëheqjen. Ikën nga detyra sepse nuk ka bërë punën siç duhet dhe, nuk del në televizor të justifikojë Tiren, me argumentin se “edhe bota ka korrupsion”.
4. Spitali i zotit drejtor është zënë në flagrancë nga Prokuroria e Shtetit, jo vetëm me një Tire, por me një grup Tiresh. Pra bëhet fjalë për skemë që tregon se menaxhimi i zotit drejtor është minimalisht i dobët dhe defektoz. Askush nuk akuzon drejtorin dhe mjekët për këtë skemë korruptive, por mbrojtja e Tires është pjesëmarrje në krim, qoftë dhe pa dashje.
Ndaj argumenti që edhe bota qenka e korruptuar nuk vlen fare, po fare për rastin në fjalë.
Për mjekun, që është sot drejtor, kam respekt. Por e folura e tij si drejtor e bën pjesë të sistemit të degraduar shëndetësor në vend.
Ndaj Ai është gjithashtu përgjegjës. Përgjegjësia nuk është vetëm penale…

SHKARKO APP