Ylljet Aliçka në vitin 1996: Edi Rama me zgjuarsinë dhe pabesinë që e karakterizon do të vijojë të jetë gjatë i pranishëm në jetën publike. Ai bën gjithfarë travestizmash me qëllim të joshë njerëzit që të merren me të
(Botuar më 21 janar 1996 në suplementin AKS të KOHA JONE)
(Pjesë nga intervista e Ylljet Aliçkës)
Dhe së fundi një pyetje jashtë teme, por që gjithsesi lidhet me kulturën. Në polemikat e kohëve më të fundit në shtyp jo pak herë është përmendur emri juaj?
Ylljet Aliçka: Unë s’kam ç’të them të re me këtë rast, por pa dashur të hiqem si indiferent ndaj këtyre polemikave, veçanërisht pranoj se e ndjeva veten të fyer nga përfolja që më bënte Edi Rama në revistën e Fatos Lubonjës, për më tepër që nuk m’u duk se ishte bërë pa talent. Në një plan më të gjerë, kam mendimin se si fenomen shoqëror, falë zgjuarsisë dhe pabesisë që karakterizojnë, Edi Rama do të vazhdojë të jetë i pranishëm gjatë në jetën publike shqiptare. Personalisht nuk jam kundër një njeriu që kërkon të rishikojë vlerat e pranuara, apo që bën kompromise me veten për të bërë gjithfarë e travestizmash me qëllim, që të joshë njerëzit që të merren me të. Pra, është krejt normale që një njeri të mbajë fjalime të tmerrshme kundër Enver Hoxhës, e më pas të bëjë piktura me shkopinj, seks e qyngje, por që nuk harron gjithnjë një gjë: të jetë me pahir i pranishëm në vëmendje. Më tepër se sa kompensim i një boshllëku, pranë një krizë identiteti, mendoj se befasitë ekzibicioniste të Edit kanë qëllim pragmatiste. Kjo është si puna e reklamës televizive, e cila ka si kriter të vetëm gjithmonë e pranishme në mendjen e konsumatorit, madje edhe kur përsëritet në mënyrë të neveritshme. Dhe deri këtu, nuk ka asgjë të mbrapshtë, madje është njerëzore të kërkosh të kapësh një pushtet. Por e keqja fillon kur harron se ke bërë kompromis me veten dhe beson se ashtu je brumosur, se është vetë historia ajo që të ka ngarkuar misionin fisnik për t’u ndritur rrugën bashkëpatriotëve të tu të verbër e barbarë. Atëherë fillon shan e fyen mbarë e mbrapsht, figura të njohura e të panjohura, politikanë e artistë, pushtetarë e teknikë zhurmash, pra ç’të të zëra dora e mendja krijuese. Padyshim që kjo e Edit është ndër zgjidhjet më të mundimshme e njëherazi plot rreziqe për të rimarrë pushtetin e humbur.
Intervistoi: ILIR SOFRONI

KOHA JONË SONDAZH

