Në ndjekje të njeriut më të kërkuar në Europë

Lideri serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç, i shpëtoi arrestimit për më shumë se një dekadë, sepse forcat ndërkombëtare dhe autoritetet serbe nuk kishin vullnet dhe më pas nuk qenë të zotët ta arrestonin atë, thotë shkrimtari britanik Julian Borger.

Nga Marija Ristic

Një urdhër arresti ndërkombëtar për Radovan Karaxhiçin u lëshua nga Gjykata e Hagës në vitin 1996, por ai u arrestua vetëm 12 vjet më vonë, kur policia arriti ta ndalonte atë në kryeqytetin serb Beograd, ku ai jetonte i fshehur dhe i maskuar si mistik i Epokës së Re.

Nga viti 1996 deri në vitin 2008, ai u përndoq nga një sërë shërbimesh inteligjente të huaja dhe gjithashtu nga autoritetet serbe dhe boshnjake, ndërsa Shtetet e Bashkuara po ofronin një shpërblim prej gati 5 milion dollarësh për informacione që mund të çonin në zbulimin e vendndodhjes së tij.

Detajet e kërkimit të organizuar për ish-presidentin serb të Bosnjës u bënë plotësisht publike në librin e botuar së fundmit “Gjyqi i kasapit”, i shkruar nga gazetari britanik Julian Borger, redaktor i lajmeve nga bota në The Guardian.

Bazuar në më shumë se 200 intervista me ata që ishin të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, përfshirë zyrtarët shtetërorë, oficerë të inteligjencës dhe punonjës gjykatash, Borger arriti të zbulojë historinë e komplikuar të arrestimeve të njerëzve më të kërkuar të epokës së tyre në Europë – jo vetëm të Karaxhiçit, por edhe të tjerë që u akuzuan si të dyshuar për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ICTY.

Në kapitullin e titulluar “Radovan Karaxhiç: Shamani në çmendinë”, Borger tregon me detaje se si “ish-psikiatri dhe poet që kishte sjellë kampe vdekjesh, ekzekutime masive dhe gjenocid në zemër të një kontinentit” arriti të mashtronte forcat policore dhe t’i shpëtonte arrestimit për aq shumë kohë.

Borger shkruan se si kërkimi i Karaxhiçit u shënua nga “fillime të rreme, gabime, tradhti dhe dështime”.

Pati negociata të dështuara mbi një dorëzim të mundshëm, thotë ai, më pas “një sërë pritash amerikane, të cilat i arratisuri gjithmonë arrinte t’i shmangte, ose nga fati, korruptimet ose se kishte nuhatje të fortë për rrezikun”.

Në një intervistë për BIRN, Borger tha se bashkëveprimi i vazhdueshëm i drejtësisë dhe politikës pengoi në sjelljen më herët të Karaxhiçit para gjykatës, pavarësisht faktit se ai po jetonte i lirë për shumë vite edhe pse urdhër arresti ndërkombëtar për arrestimin e tij ishte aktiv.

Asnjë vullnet politik për ta arrestuar

Karaxhiç u akuzua fillimisht në vitin 1995, vit që shënoi fundin e luftës në Bosnjë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila u konsiderua në atë kohë nga komuniteti ndërkombëtar si një nga arritjet e tij më të mëdha në politikën e pas Luftës së Ftohtë.

Por pavarësisht lëshimit të urdhër arrestit dhe pranisë së forcave ndërkombëtare në terren në Bosnje, Karaxhiçi dhe shoqëruesit e tij silleshin rrotull me makina në kryeqytetin de facto serb të Bosnjës Pale për vite me radhë para se të arrihej një konsensus dhe të vendosej se ai duhej të arrestohej.

Sipas Borgerit, koha e keqe ishte një nga arsyet kryesore se pse, në vitin 2008, Radovan Karaxhiç ishte njeriu më i kërkuar në Europë dhe turpi i saj më i madh.

“Koha më e mirë për të arrestuar zyrtarët kryesorë do të ishte menjëherë pas Dejtonit, kur ata ishin të pambrojtur, por në atë kohë nuk kishte asnjë vullnet politik për këtë,” tha Borger për BIRN.

“Kur erdhi vullneti politik, në vitet e fundit të shekullit të 20-të, nuk ishte më e mundur. Në rastin e Mlladiçit, ai u arratis në Serbi dhe deri në fund të shekullit të njëjtën gjë kishte bërë edhe Karaxhiçi, gjë e cila i bëri ata shumë më pak të arritshëm. Në fund ata duhet të prisnin që në Serbi të ndodhte ndryshimi politik që ata të arrestoheshin,” tha ai.

OKB-ja e kishte ngritur ICTY-në në Hagë në vitin 1993 në pritje për të gjykuar të dyshuar si Karaxhiçi, por disa nga mbështetësit e saj ndërkombëtarë fillimisht e përkrahnin atë vetëm në mënyrë retorike, pretendon Borger.

Prioriteti i tyre ishte të përpiqeshin të garantonin paqen e shumëpritur mes tre etnive në vend – serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

“Në fillim të krijimit të gjykatës për krime lufte kishte shumë hipokrizi, duke qenë se disa forca të mëdha, Britania dhe Franca në veçanti, nuk kishin ndërmend ta linin atë të funksiononte si duhet,” tha ai.

“Nën lajmërimet e mëdha që shoqëronin krijimin e saj kishte hipokrizi dhe hipokrizi kishte gjithashtu edhe në kërkimin e organizuar të një krimineli,” shton ai.

Kaluan vite para se mbështetja në letër ndaj ICTY-së të kthehej në mbështetje të vërtetë për kapjen e 161 të arratisurve në listën e më të kërkuarve të gjykatës.

“Realizimi erdhi për njerëz të ndryshëm në kohë të ndryshme. Për disa njerëz qe menjëherë e qartë se duhet të zbatosh të drejtën ndërkombëtare që të ruash paqen, por komandantët ushtarakë që erdhën me forcat ndërkombëtare e panë paqen dhe drejtësinë si alternativa dhe zëvendësues për njëri-tjetrin,” tha Borger.

“Iu desh një apo dy vjet kohë që të kuptonin se procesi i paqes së Dejtonit nuk po funksiononte për aq kohë sa këta njerëz ishin ende rrotull dhe në krye të gjërave. Ata po ndalonin kthimin e refugjatëve dhe po ndalonin Dejtonin sa herë që mundeshin,” shtoi ai.

Parajsë e sigurt në Serbi
Ata e gjetën atë parajsë në anën tjetër të lumit Drina, në Serbi, të cilin shumë serbë të Bosnjës, atëherë dhe tani, e konsiderojnë si atdheun e tyre. Dhe u vërtetua si i tillë ishte: nacionalistët kontrollonin policinë dhe aparati i sigurimit të shtetit e bënin Serbinë të sigurt për ata, duke injoruar kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për t’i vënë ata pas hekurave.Por në të njëjtën kohë si komuniteti ndërkombëtar, sidomos administrata e Bill Klintonit në Shtetet e Bashkuara, kuptoi në fund të viteve 1990 se Karaxhiçi dhe shefi i tij ushtarak Ratko Mlladiç duhet të ishin në krye të listës së arrestimeve me përparësi, të dy burrat morën mesazhin se Bosnja po shndërrohej një territor i rrezikshëm për ta dhe se ata duhet të kërkonin një parajsë më të sigurt.

Sipas Borgerit, arrestimi i Karaxhiçit erdhi vetëm kur peizazhi politik në Serbi ndryshoi dhe kur presidenti pro-europian Boris Tadiç mori nën drejtim Agjencinë Informative të Sigurimit në Serbi, BIA, nga paraardhësi i tij Vojislav Kostunica.

Borger tha se Kostunica ishte “një nacionalist që e kundërshtoi në parim bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, sidomos kur erdhi puna për të dorëzuar liderët serbë”.

“Kostunica caktoi në BIA njeriun e tij Rade Bulatoviç, i cili nuk e kishte me ngut të arrestonte njerëz të shumëkërkuar si Karaxhiçi dhe Mlladiçi. Karaxhiçi u kap vetëm pak ditë pas zëvendësimit të tij, gjë e cila ishte një shenjë e qartë se lidershipi në agjencinë e inteligjencës kishte rëndësi,” shpjegoi Borger.

“Nën të në agjenci kishte njerëz që po bënin punën e tyre dhe ishte një grup punonjësish të BIA-s që e gjetën Karaxhiçin në një bazë të një telefonate që bëri vëllai i tij Luka,” shtoi ai.

Telefonata i çoi agjentët e BIA-s te një shërues shpirtëror i quajtur Dragan David Dabiç, i cili atyre u ngjante shumë si Karaxhiçi.

“Dabiç” kishte jetuar në lagjen Beogradi i Ri, duke u hequr si ai që Borgeri e përshkroi “një njeri mistik i Epokës së Re, i cili ofronte kura shpirtërore për sëmundje”. Ai bënte një jetë të hapur dhe madje kishte dalë edhe në gazeta dhe televizion dhe kështu do të kishte vazhduar nëse s’do t’ia kishte bërë atë telefonatë Luka Karaxhiçit.

“Dabiç nuk ngjante si ndonjë i afërm i pijanecit Luka Karaxhiç, i cili kishte treguar deri atëherë pak interes në jetesa të shëndetshme alternative. Kështu, agjentët e BIA-s gërmuan pak më thellë, dhe sa më shumë ata kërkonin në jetën e shamanit të thinjur, aq më i çuditshëm dukej ai,” shkroi Borger.

Po t’i prisje topuzin dhe t’i rruaje mjekrën, Dabiçi do të ishte Karaxhiçi, dyshuan agjentët e BIA-s.

Pas disa kontrollesh sigurie, ata zbuluan se një tjetër Dragan David Dabiç, me të njëjtat dhënat personale ekzistonte. Kështu ata e vëzhguan me orë të tëra për të qenë plotësisht të sigurt se dyshimi i tyre ishte i saktë – se Dabiç ishte vërtet Karaxhiçi.

Por ata vendosën të mos ia kalonin dyshimet e tyre shefit të BIA-s, Rade Bulatoviçit, i cili ata besonin se mund të ishte kundër arrestimit të Karaxhiçit, por ia kaluan ato një ndihmsi të presidentit Tadiç, i cili donte që kjo punë të kryhej në mënyrë që të bënte progres drejt anëtarësimit në BE.

Ata ia treguan zbulimet e tyre zyrës së Tadiçit vetëm pasi u siguruan se do të mbroheshin nga një spastrim i mundshëm në BIA nëse do të urdhërohej arrestimi.

Tadiç arriti të riorganizojë lidershipin e BIA-s dhe pak ditë më vonë, në korrik 2008, Karaxhiç u arrestua ndërsa udhëtonte me transportin publik në Beograd. Pavarësisht protestave në rrugë, shumë shpejt ai u transferua në Hagë, ku e deklaroi veten të pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij.

Një fund ndaj mosndëshkimit?

Vendimi fillestar përfundimtar Karaxhiçin do të jepet më 24 mars pas çështjes më të gjatë që është nxjerrë ndonjëherë para ICTY-së, e cila përfshiu më shumë se 500 dëshmitarë gjatë rrjedhës së tetë viteve që kjo çështje zgjati.

“Ne po presim të shohim vendimin, por gjyqi ishte i hollësishëm dhe i rëndësishëm. Në ndjekjen për arrestimin e tij pati shumë hipokrizi, por gjyqi arriti të qëndronte i përqendruar në vrasjet masive dhe autorët e krimeve,” tha Borgeri.

Pavarësisht kritikave të punës së ICTY-së gjatë viteve, Borgeri beson se në trashëgiminë e saj ka disa aspekte pozitive.

“Nëse pyesni njerëzit në rajon se çfarë mendimi kanë për ICTY-në, secili grup do të ketë një arsye për t’u ankuar ose për shkak të lirimeve nga akuzat ose për kohën që i është dashur për të vënë drejtësi, dhe gjithashtu për shkak se drejtësia nga natyra e saj për krime kaq të mëdha nuk mund të jetë kurrë e plotë dhe nuk mund ta masë kurrë shkallën e krimit. Kështu që kanë arsye për ta gjykuar apo për të qenë të pakënaqur me gjykatën,” tha ai.

“Por unë mendoj se po të shohim arritjet e saj, të 161 personat e akuzuar u nxorën në gjyq ose u përballën me drejtësinë në një mënyrë apo një tjetër. Në gjyq kishte edhe autorë krimesh nga palës kryesore ndërluftuese dhe kjo është shumë e rëndësishme,” shtoi ai.

Arkivat e ICTY-së do të jenë shumë të rëndësishme në sigurimin e prova për të luftuar ata që do të mohojnë krimet e luftës të viteve 1990. Por arritja e saj më e madhe ishte se tregoi që politikanë të rëndësishëm dhe figura të larta ushtarake nuk mund t’i shpëtojnë drejtësisë, sugjeroi  Borger.

“ICTY-ja ishte një gjykatë unike që në terma më të gjera i dha fund mosndëshkimit të shtetit dhe liderëve të ushtrive për krimet masive që ata kryen,” tha ai.

BIRN

SHKARKO APP