Statistikat zyrtare: Në Maqedoni, 40% shqiptarë
Numrat e nxënësve të shkollave fillore zbulojnë se në Maqedoni janë të manipuluara përqindjet e popullsisë, konkretisht tregojnë se shqiptarët janë 13 për qind më shumë se sa llogaritet numri i tyre, kurse i maqedonasve, 16 për qind më pak, Në kategorinë e nxënësve maqedonas, ku hyjnë edhe romët, boshnjakët, vllahët, kroatët e të tjerët, janë 104.204 nxënës nga 190.541 gjithsej. Pra, jo më shumë se 54.7 për qind edhe atë bashkë me të tjerët (të cilët përbëjnë 5.3 për qind të popullatës). Ndërkaq, në kategorinë e nxënësve shqiptarët janë 62.188 nxënës, apo 32.6 për qind e numrit të përgjithshëm.
Të konsideruara prej kohësh si pasqyra më reale e mozaikut etnik të shtetit, shkollat fillore pa ndonjë mundim të madh janë në gjendje të zbulojnë tablonë më reale të përqindjeve të ndryshme etnike në Maqedoni. Siguria më e madhe për këtë qëndron në prirjen shumë të natyrshme të nxënësve që të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, sidomos kur është në pyetje shkollimi në nivelin e arsimit fillor – edhe pse sikurse tregojnë numrat e nxënësve nëpër paralele, ka përjashtime nga ky përkufizim. Të paktën në vitin shkollor 2013/2014 janë mbi 1200 shqiptarë dhe mbi 2800 turq, të cilët mësojnë në paralelet maqedonase, ashtu sikurse ka 45 maqedonas të cilët mësojnë në gjuhën serbe, apo 184 shqiptarë që mësojnë në gjuhën turke. Sidoqoftë, këto numra edhe pse jo pa ndikim në përqindjet e nxënësve sipas etnitetit, janë të papërfillshme nëse krahasojmë dallimet që ekzistojnë mes përqindjeve etnike të nxënësve nëpër shkolla dhe përqindjeve që zyrtarisht përdoren për të treguar konfigurimin demografik të Maqedonisë, respektivisht popullsisë që jeton këtu.
Kamuflimi
Ndryshimi më i thellë mes përqindjeve zyrtare mbi numri e popullsisë dhe përqindjen e nxënësve sipas etnisë rezulton te maqedonasit dhe shqiptarët, mirëpo në konotacione diametralisht të kundërt. Maqedonasit, për të cilët me Regjistrimin e fundit të popullsisë (të vitit 2002) thuhet se janë 65.2 për qind, në arsimin fillor nuk janë hiq më tepër se 54.7 për qind, respektivisht 104.254 nxënës nga 190.541 nxënës. Ndërkaq shqiptarët, të cilët Regjistrimi i të njëjtit vit i nxjerr 25.2 për qind, sipas numrit të nxënësve nëpër shkolla fillore – janë 32.6 për qind, konkretisht 62.188 nxënës. Pra ka një predispozitë të hapur për të manipuluar përqindjet e maqedonasve dhe shqiptarëve në shtet edhe atë me 11, respektivisht 16 për qind më tepër për maqedonasit dhe 13 për qind më pak për shqiptarët. Numri i nxënësve të shkollave fillore pa asnjë dilemë mund të shërbejnë si njëra prej referencave më të sigurta për t’ju dhënë përgjigje shumë pyetjeve se sa maqedonas, shqiptarë, turq, boshnjakë, serbë, e të tjerë jetojnë në Maqedoni. Megjithëse i kamufluar në ndarjen e paraleleve sipas gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, përsëri ekzistojnë të dhëna zyrtare që mjaftojnë për të nxjerrë (me probabilitet të lartë të saktësisë) përqindjet e popullsisë sipas ndarjeve etnike. Kështu, të dhënat për vitin shkollor 2013/2014 tregojnë se numri i përgjithshëm i nxënësve të shkollave fillore të Maqedonisë ishte 190.541 nxënës. Prej tyre, 122.924 mësojnë në gjuhën maqedonase, 61.298 më gjuhën shqipe, 5821 në gjuhën turke dhe 498 në gjuhën serbe. Por jo të gjithë nxënësit kanë etnitet të njëjtë me gjuhën në të cilën mësojnë. Përveç romëve, boshnjakëve, vllahëve, kroatëve dhe minoriteteve tjera joshqiptare që mësojnë në gjuhën maqedonase, në këto paralele nuk mungojnë as nxënësit shqiptarë dhe turq. Mirëpo, meqë mësimi organizohet edhe në këto dy gjuhë, është e mundur të identifikohet numri prej 1217 nxënës shqiptarë dhe 2811 turq që mësojnë në paralelet maqedonase. Të tjerët, në ndarjen e nxënësve sipas gjuhës dhe etnisë, i shtohen kontingjentit “maqedonase” e që do të thotë se në numrin prej 122.929 nxënës ose 64.5 për qind, jo të gjithë janë maqedonas. Përveç 1217 shqiptarëve dhe 2811 turqve, në këtë numër përfshihen edhe romët, vllahët, boshnjakët dhe të tjerë, të cilët veç e veç mund të jenë përqindje të vogla, por jo edhe bashkërisht. Në numrin e përgjithshëm të popullsisë, bashkërisht ato bashkësi etnike përbëjnë 5.3 për qind të popullatës. Logjikisht i bie që në klasifikimin 104.254 nxënës maqedonas, mbi 5.200 nxënës apo 5.3 për qind të mos jenë maqedonas e për pasojë – edhe përqindja reale e tyre të jetë 49.4 për qind.
Dominimi
Arsimi në nivelin fillor, sikurse tregojnë të dhënat për numrin e nxënësve dhe paraleleve, zhvillohet në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe serbe. Në paralelet maqedonase, me 122.929 nxënës, përveç maqedonasve dhe të tjerëve (104.209) ka edhe nxënës shqiptarë (1217) dhe turq (2811). Në paralelet shqipe me 61.298 nxënës, përveç shqiptarëve (60.787) ka edhe turq (81). Në paralelet turke me 5821 nxënës, përveç turqve (5630) ka edhe shqiptarë (184). Në paralelet serbe me 493 nxënës, përveç serbëve (448) ka edhe maqedonas (45 nxënës). Në shkolla mësohet edhe gjuha boshnjake, por si lëndë fakultative edhe atë në dy shkolla dy gjuhësore (maqedonisht dhe boshnjakisht) dhe në pesë shkolla tre gjuhësore (maqedonisht, shqip dhe boshnjakisht). E parë edhe në këtë prizëm, pra të ndarjes së shkollave sipas gjuhëve në të cilat zhvillohet mësim – janë përsëri maqedonasit, respektivisht maqedonishtja që dominon arsimin fillor. Maqedonishtja shtrihet në 81.1 për qind të shkollave të Maqedonisë edhe atë nga 346 shkolla gjithsej – në 187 mësohet vetëm në maqedonisht, në 54 edhe maqedonisht edhe shqip, në 21 edhe maqedonisht edhe turqisht, në 2 edhe maqedonisht edhe serbisht, në 2 të tjera maqedonisht dhe boshnjakisht, kurse në 17 në maqedonisht dhe dy gjuhë të ndryshme. Maqedonishtja dhe paralelet maqedonase janë gjithë andej, ndërsa me numër dhe përqindje nxënësish janë shumë larg prezencës reale të tyre. Numri i nxënësve sipas përkatësisë etnike në njërën anë dhe në anën tjetër numri i paraleleve dhe numri i shkollave, janë treguesi më i mirë i kësaj. Madje, edhe sipas numrit të popullsisë janë shumë më pak se përqindja e shkollave ku mësohet maqedonisht në një, dy apo tre gjuhë. Nuk ndodh kështu me shqiptarët, të cilët edhe pse kanë 32.6 për qind të numrit të nxënësve, janë të përfshirë në vetëm 38 për qind të shkollave. Pra, shqip mësohet në 58 shkolla, në 54 shqip dhe maqedonisht, në 3 shkolla shqip dhe turqisht dhe në 17 shkolla shqip dhe dy gjuhë të tjera. Vetëm në një gjuhë, krahas 187 dhe 58 në maqedonisht dhe shqip, mësohet gjithashtu edhe në gjashtë shkolla të tjera, gjegjësisht në nga dy në turqisht, serbisht dhe boshnjakisht. – “Koha”.