Dh@noi personazhin e ‘TikTok-ut’, Gjykata e Durrësit liron Noizyn
Gjykata e Durrësit ka liruar nga qelia Rigels Rajkun, reperin e njohur me ermin e artit Noizy, i cili u arrestua disa ditë më parë në Shëngjin për llogari të autoriteteve në Kosovë, pasi dyshohet se ka dhunuar ‘TikTokerin’ e njohur Medi Iseni, me 2 gusht në Pejë.
Noizy është lënë i lirë kundrejt garancisë pasurore 5 milionë lekë të rinj. Lirimi i tij është bërë nga Gjykata e Durrësit pasi ka kompetencën për vendim duke qenë se Noizy është aty banor rezident.
Vendimi është marrë sot nga Gjykata dhe sipas parashikimeve ligjore, garancia pasurore duhet të depozitohet brenda një afati 5 (pesë) ditor.
“Shtetasi Rigels Rajku do të qëndrojë me masë sigurimi “arrest në burg”, deri në depozitimin e garancisë pasurore. Pas depozitimit të shumës përkatëse duhet të njoftohet menjëherë prokurori, i cili në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së garancisë pasurore, duhet të verifikojë dokumentacionin përkatës, dhe të urdhërojë, sipas rastit, lirimin e menjëhershëm të personit nën hetim ose konfirmimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Kujtojmë se reperi i njohur u ndalua në Kune të Shëngjinit teksa po shkonte për të kënduar në një klub nate. Prangosja e tij u bë për shkak të një urdhër-arresti të lëshuar nga policia e Kosovës.
Përpara arrestimit, reperi bëri edhe një reagim në rrjetet sociale lidhur me ngjarjen që akuzohet. Ai pretendoi se nuk ka lidhje më këtë ngjarje dhe se nuk ishte arratisur.
Noizy u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë pasi e cilësoi veten “viktimë të kallëzimit të rremë”.