“Ktheju Tokës” jo këngë “fast-food”! Thirrje për shqiptarët ane mbarë botës

Redjon Shtylla

Shumë pak e ndjekin “Festivalin e Fundvitit” në RTSH, edhe pse aty del fituesi që përfaqëson Shqipërinë në “Eurovision Song Contest”, i vetmi festival Europian me shikueshmëri nga e gjithë bota, ku mund të paraqiten artistët shqiptarë. Këtë vit e dini mirë që artistja Jonida Maliqi, është pjesë e garës. “Ktheju Tokës”, një krijim i kompozitores Eriona Rushiti, do të ngjitet në skenën e “Tel Aviv-it” në Izrael, në garë mes 41 shteteve pjesëmarrëse.

Edhe pse jemi një vend i vogël, sërisht nuk e kemi frymën e mbështetjes. Duhet që të na vlerësojë bota, që ne të vlerësojmë veten, pra këngën që përfaqëson vendin tonë. E kemi parë ndër vite që shumë pak media, apo emisione televizive mbështesin përfaqësuesin e Shqipërisë. Ka pasur edhe nga ato raste, kur përfaqësuesin e Shqipërisë e kemi parë vetëm kur është ngjitur në skenën e Eurosong-ut, pasi mediat në vend nuk i kanë dhënë hapësirën e duhur.

Por ndryshe po ndodh këtë vit. “Ktheju Tokës” ka rrënqethur ane mbarë shqiptarët dhe miliona të huaj që drithërohen nga kjo këngë, edhe pse poezia e këngës është në shqip, ata çdo ditë e më shumë e vlerësojnë me nota maksimale dhe më së shumti shpirtin e jashtëzakonshëm dhe emotiv të këngëtares. Çdo ditë e më shumë, për ata që e ndjekin këngëtaren në Instagram, shohin sesi dhe sesa vlerësohet kënga. Videot e reagimeve që fansat e Eurosong-ut bëjnë për këngën shqipe, të dhurojnë një kënaqësi e cila do të finalizohet në Izrael, aty ku Jonida Maliqi ka premtuar suprizën e madhe të performancës.

Nëse do të ndalemi tek kënga, e cila është “kali i betejës” në këtë garë, mund të themi thjesht se është UNIKE. Thirrja për t’iu rikthyer tokës së lënë, e veshur me melodi të instrumenteve nga çdo krahinë e Shqipërisë, e kanë veshur këtë këngë me një kurorë që shkëlqen shumë dhe veçon. Ndonëse jemi të vetëdijshëm që fitues në Festivalin Europian të Këngës, më së shumti janë shtetet që përfaqësohen me këngë ritmike por që të gjithë e kujtojmë suksesin e jashtëzakonshëm të Rona Nishliut, me ”Suus” në vitin 2012, ku siguroi vendin e pestë në finalen e madhe.

Klithmat e këngës “Ktheju Tokës”, janë sa aktuale edhe të frikshme kur çdo ditë e më shumë, shqiptarët braktisin vendin, për të emigruar drejt vendeve të BE-së, shumica e tyre si azilantë. Ndaj, për ta rritur edhe më shumë këtë këngë, duhet që të gjithë shqiptarët anembarë, ti kthehen tokës, ndonëse jo fizikisht por emocionalisht për të mbështetur këtë “Masterpiece” (kryevepër) të cilësuar nga fancat e Eurosong-ut dhe për ta lartësuar më shumë figurën e Shqipërisë. Kjo këngë e ka fituar Eurovisionin e saj, pasi me origjinalitetin dhe larg të qenurit muzikë “fast-food”, komercionale, ka fituar zemrat e milionave fancave, edhe pse në kanalin Youtube të Eurovisionit ka marrë mbi 450 mijë shikime brenda një jave. “Ktheju Tokës” nuk ka nevojë për milionat e shikimeve që marrin këngët “fast-food” në Shqipëri.

4 elementët e “Ktheju Tokës”

“Tokë, zjarr, ujë, ajër, fole, shqiponjë”, janë këto disa nga elementët e video-klipit të këngës “Ktheju Tokës”. Jonida Maliqi, me një zë drithërues, ashtu siç e kanë vlerësuar kritikët dhe fansat e Eurosong-ut, shfaqet e thjeshtë në këtë videoklip, pasi mesazhin e fortë që kënga ka, e përcjell me anë të elementëve të sipërpërmendur. Ajo shfaqet me një fustan ngjyrë bezh të punuar nga stilisti Ardi Asllani, me të cilin do të kurojë edhe veshjet e performancës në skenën e Tel Aviv-it. Klipi nis me Jonidën dhe më pas me folenë ku duken njerëz që lëvizin për të dalë, kjo simbolizion Shqipërinë dhe njerëzit që largohen dita-ditës. Në videoklip shohim fëmijët që vrapojnë larg “folesë”, pra shtëpisë së tyre që digjet dhe që prekin ujin (detin që ikin drejt vende të botës). Në disa pjesë shfaqet artistja Maliqi, që me efektet e erës bën thirrje për tu rikthyer tokës. E gjithashtu mund të shohim një fole shqiponje të mbushur me njerëz që presin të ushqehen e të rriten dhe në fund Jonida që zëvendësohet pikërisht me një shqiponjë. Gjithashtu në fund të video-s por edhe në përshkrimin e Jonidës, bëhet me dije se e gjithë kjo nuk është veçse një parantezë e performancës së Shqipërisë në Eurovizion, që ende po ruhet si surprizë.

Teksti i këngës

Ti këndon edhe qan
Në duar lotët mbledh, i mban
Një ditë jeton
Në tjetrën vdes
Sa mall, pak shpresë
I vetëm pa identitet
Ktheju tokës tënde
O njeri që zemrën le peng
Ktheju tokës tënde
Ti e di një zemër të pret
Një ditë jeton
Në tjetrën vdes
Sa mall, pak shpresë
I vetëm pa identitet
Ktheju tokës tënde
O njeri që zemrën le peng
Ktheju tokës tënde
Ti e di një zemër të pret

/Koha Jonë/

Jonida Maliqi - Ktheju tokës - Albania 🇦🇱 - Official Music Video - Eurovision 2019

SHKARKO APP