Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare ikona e Hollivudit, Robert Redford
Robert Redford, ikona e e Hollivudit dhe ylli i filmave si “All the President’s Men” (1976), “The Natural” (1984), apo “Indecent Proposal” (1993) ka ndërruar jetë në moshën 89 vjeçare.
Sipas The New York Times, Redford vdiq në shtëpinë e tij në malet jashtë Provos, Utah, të martën në mëngjes, më 16 shtator. Deri më tani nuk është komunikuar shkaku i vdekjes së tij, por drejtoresha ekzekutive e Rogers & Cowan PMK, Cindi Berger ka deklaruar për mediat se ai vdiq në gjumë.
Karriera e tij në dekada i dha nominimin për Oscar si aktori më i mirë për “The Sting” e vitit 1973, çmimin për regjisorin më të mirë për “Ordinary People” e vitit 1980 dhe një tjetër nominim për regjisorin më të mirë për “Quiz Show” e vitit 1994.
“Kam kaluar pjesën më të madhe të jetës time duke u përqendruar në rrugën përpara, pa shikuar prapa”, tha Redford në fjalimin e tij kur mori çmimin ‘Oscar’ në vitin 2002.
“Sonte, po shoh në pasqyrën e pasme se ka diçka për të cilën nuk kam menduar shumë, ajo që quhet histori”, tha Redford në ato kohë.
I lindur më 18 gusht të vitit 1936 në Santa Monica, Kaliforni, Redford ishte student në Akademinë Amerikane të Arteve Dramatike.
Ai bëri debutimin e tij në Broadway në “Tall Story” të vitit 1959, pasuar nga një rol kryesor në “Barefoot in the Park” të vitit 1963 – një rol që ai e përsëriti në adaptimin filmik të vitit 1967 përkrah Jane Fonda.
Karriera e tij në ekran filloi në fillim të viteve 1960 me role në emisione televizive si “Tate”, “Route 66”, “Alfred Hitchcock Presents”, “The Twilight Zone” dhe “The Untouchables”.
Dhe sigurisht, karriera e tij arriti lartësi të reja në 1969 kur ai mori rolin e të jashtëligjshmit Sundance Kid në “Butch Cassidy and the Sundance Kid” përkrah Paul Newman.
“Po më propozonin për Butch Cassidy sepse isha marrë me komedinë. Por ai rol nuk më interesonte. Ajo që më interesonte ishte ‘Sundance Kid’ sepse mund të lidhesha me të bazuar në përvojën time dhe veçanërisht fëmijërinë time, duke u ndier si një i jashtëligjshëm gjatë gjithë jetës sime”, tha Redford në 2019.
Disa nga filmat e tij më të paharrueshëm përfshijnë “The Way We Were” (1973), “The Sting” (1973), “The Great Gatsby” (1974), “All the President’s Men” (1976), “The Natural” (1984), “Indecent Proposal” (1993), “The Horse Whisperer” (1998) dhe “All Is Lost” (2013). Përveç “Ordinary People” të vitit 1980, ai drejtoi “A River Runs Through It” (1992), “Quiz Show” (1994), “The Legend of Bagger Vance” (2000), “Lions for Lambs” (2007) dhe disa filma të tjerë.
KOHA JONË SONDAZH

