Streetwear ”Besa Besë” nga Arbnori: Dua ta bëj shqiponjën më cool për gjeneratën e re të shqiptarëve në Diasporë

Nga: Redjon Shtylla

Kujtimet janë ato që mbajnë gjallë lidhjen me të shkuarën, dhe e shkuara bëhet frymëzim për të krijuar në realitetin e sotëm. Sot në ”Trroç me Redin”, do të tregojë historinë e tij një i ri, por me shumë pasione dhe krijmtari të gjaktë si flamuri kombëtar. Arbnor Gacaferi, është një 29-vjeçar që jeton në Rotterdam të Hollandës, por gjaku i tij rrjedh nga një familje shqiptare nga Juniku i Gjakovës, por që në vitet e luftës në Kosovë ikën nga vendi i tyre për të shpëtuar nga dora vrasëse serbe dhe Arbnorin e tyre e sollën në jetë në një kamp për refugjatë në Zaandam të Hollandës.

‘Ne jemi nga Juniku, Kosovë. Babai im më ka folur për Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe Lahutën e Malsisë gjatë fëmijërisë time”,tregon me një shqipe patriotike Arbnori. Nga një mik, unë një ditë u ndesha krejt rastësisht në Instagram me ”Besa Besë”, marka më e re streetwear e krijuar nga 29-vjeçari dhe e them trroç që më rrëmbeu menjëherë shikimin dhe zemra u ngroh furrishëm nga figurat atdhetare dhe simbolet e tjera të përdorura në një t-shirt të vetëm. ”Ne zgjodhëm emrin ”Besa Besë” sepse për mua është shprehja më e bukur në shqip”,-tregon Arbnori më tej për ”Koha Jonë”. ”Besa Besë” është e krijuar për të jehuar fort nëpër Europë dhe jo vetëm, për të bashkuar një rini e cila është rritur larg Shqiptarisë, por në zemër është kuqezi.

Lidhja e fortë që ai ka me figurat që luftuan për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur, i ka gdhendur brenda një t-shirti. ”Dizajni që kemi përdorur deri tani për The Oversized T-shirt është shqiponja, ndërsa për fanellën tonë të re të basketbollit kemi zgjedhur dizajne në stilin e tatuazheve që paraqesin Skënderbeun, Isa Boletinin dhe ushtarët e tij”,-tregon më tej.

Duke jetuar në Hollandë, ai më tregon se është frymëzuar nga marka ”The Marathon Clothing” e Nipsey Hussle. Tregon sesi kjo markë ndihmoi komunitetin e tij në Los Angeles. Pra Nipsey Hussle shiste t-shirte me emrin “Slauson” ( një lagje në Los Angeles). Të gjithë në Slauson filluan të mbanin këto t-shirt me krenari, dhe marka e tij u bë shumë e suksesshme. Pikërisht këtë dëshiron dhe po punon Arbnori, që një brez si ai, i rritur larg mëmëdheut, të tregojnë me krenari se nga vijnë dhe të gjithë atje në Diasporë të keni të përbashkët këtë kulturë të ”streetwear”. ”Unë dua të bëj të njëjtën gjë për komunitetin tim, diasporën shqiptare, që dëshiron të tregojë me krenari prejardhjen e tij”.

Por çfarë i ka munguar 29-vjeçarit nga fëmijëria dhe si e lidhi frymëzimin nga Hussle? Arbnori e thotë trroç, lindi ka mungesa e një t-shirti me shqiponjë, që nuk kishte se ku ta merrte. ”Kur isha fëmijë, nuk kishte marka shqiptare që mund të blija, dhe do të kisha dashur të kisha një t-shirt me shqiponjën. Gjatë regjimit të Milosheviçit në Kosovë, fjalimi në shqip ose veshja e ngjyrës së kuqe mund të shkaktonte arrestimin ose më keq. Flamuri shqiptar ishte gjithashtu i ndaluar. Tani që nuk jemi më të shtypur, dua që të gjithë të shohin kulturën tonë të bukur”,-tregon për ”Koha Jonë”.

Edhe pse si biznes është hapur në prill, Arbnori ka marrë goxha mbështetje nga shqiptarët e diasporës. ”Të gjithë shqiptarët janë publiku ynë i synuar. Argjent Shala, luftëtari i MMA-së, na ka treguar shumë mbështetje. Ne e kemi lidhur me të përmes Instagramit dhe TikTok-ut dhe përpiqemi ta mbështesim edhe ne sa më shumë të mundemi. Deri tani, shqiptarë të njohur si John Alite (USA), OG MERKS (UK) dhe KOSSO (NL) na kanë mbështetur”.

SHKARKO APP