U arrestua në Zvicër, reagon Noizy pas lirimit: Ishte një keqkuptim i rëndë!
Reperi i njohur shqiptar, Noizy, është arrestuar më 5 korrik nga autoritetet zvicerane në aeroportin e Zyrihut, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime të Rënda të Dhunshme. Lajmi bëhet i ditur nga mediat lokale, ku thuhet se ndaj 38-vjeçarit ekzistonin akuza për disa vepra penale. Për të ishte kërkuar masa e paraburgimit, megjithatë një vendim përfundimtar ende nuk është dhënë.
Sipas autoriteteve, hetimet janë në vijim dhe për Noizyn – emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku – vlen parimi i prezumimit të pafajësisë derisa të ketë një vendim gjyqësor përfundimtar.
Arrestimi ndodhi pak para një koncerti të planifikuar në klubin “Rinora 4” në Rümlang, i cili u anulua menjëherë. Organizatorët hoqën të gjitha njoftimet për eventin, ndërsa fansat u lanë pa performancën e shumëpritur. Pas lirimit të tij, Noizy ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kërkuar ndjesë për mungesën dhe duke sqaruar situatën.
“Ju kërkoj ndjesë të gjithë fansave të mi në Zvicër, për të cilët, fatkeqësisht, nuk munda të performoja të shtunën mbrëma në Rinora4. Një keqkuptim i rëndë, i bazuar në një shpifje të pastër, më përfshiu në një verifikim zyrtar nga autoritetet zvicerane,” shkruan reperi.
Ai shton se personi që ka bërë akuzën e rreme do të përballet me ligjin dhe se tashmë gjithçka është pas tij: “Jam përsëri me ju, për të çuar përpara koncertet dhe albumin e ri. MAMA JA DOLA.”
KOHA JONË SONDAZH

