1-1 kthehet në modë në Superiore, Tirana ndalet ndaj Egnatias (VIDEO)

Duket e pabesueshme, por dhe ndeshja e katërt e javës së dytë të Superiores është mbyllur në barazim 1-1. Në “Selman Stermasi”, Tirana nuk shkoi më shumë se barazimi ndaj Egnatias.

Bardheblutë zhbllokuan rezultatin në minutën e 51-të, me një gol të bukur të shënuar nga Taulant Seferi, i cili e dërgoi topin në trekëndësh nga distanca. Zgjati vetëm 6 minuta festa e kryeqytetasve, pasi Egnatia do të arrinte që të barazonte me Imerin, që do të realizonte një gol fantastik brenda zonës.

Tirana reagoi duke gjetur një tjetër gol me Taulant Seferin, por arbitri pasi u konsultua për më 7 minuta me VAR, vendosi që ta anulonte për shkak të një pozicioni jashtë loje të Xhixhës në trajektoren e goditjes.

Deri në fund rezultati nuk ndryshoi, me ekipin e Shehit që ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërkohë që Egnatia merr pikën e parë. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP