Ambasadori i Holandës “sfidon” Ramën: Të bëjë tifo për Romën, por fiton ekipi holandez
”Çdo gjë është nën kontroll dhe të gjitha përgatitjet po ecin si duhet. Ka një atmosferë vibruese sikur të ishte një koshere bletësh dhe kjo falë autoriteteve shqiptare të cilat do të doja t’i komplimentoja për koordinimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer deri tani”,-thotë ambasadori i Holandës në Tiranë, Reinout Vos. Ndërsa i pyetur sesi e komenton që kryeministri Edi Rama është tifoz i Ramos, Vos thekson se ”Secili është i lirë të zgjedhë dhe të mbështesë ekipin e zemrës ose preferencës së tij. Unë gjithashtu mund të deklaroj publikisht mbështetjen time për skuadrën e Fejnordit”,-thotë për gazetën ”Panorama”.
Përshëndetje zoti ambasador, Tirana do të presë një finale ku një ekip holandez si Fejnordi do të vijë në Shqipëri për të diskutuar një trofe si Liga e Konferencës. Për tifozët e futbollit këtu është një ngjarje e madhe, por nga pikëpamja juaj a është gati Tirana të presë një event të këtyre përmasave?
Për habinë time, kam gjetur shumë tifozë futbolli holandez këtu në Shqipëri. Futbolli është një nga gjurmët e Holandës jashtë vendit, së bashku me tulipanët, biçikletat, digat e ujit dhe piktori Rembrandt. Jam shumë i lumtur që Tirana do të presë këtë ndeshje interesante të Ligës së Konferencës nesër në stadiumin “Air Albania”. Kam vënë re se të gjithë aktorët, Federata Shqiptare e Futbollit, policia e shtetit shqiptar dhe bashkia po punojnë fort për t’u përgatitur për këtë ngjarje, e cila është më e gjerë se vetë ndeshja. Deri tani duket se çdo gjë është nën kontroll dhe të gjitha përgatitjet po ecin si duhet. Ka një atmosferë vibruese sikur të ishte një koshere bletësh dhe kjo falë autoriteteve shqiptare të cilat do të doja t’i komplimentoja për koordinimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer deri tani. Në ambasadë gjithashtu po përgatitemi. Do të ketë një numër të lartë qytetarësh holandezë që do të udhëtojnë për në Shqipëri. Kjo është e mrekullueshme, sepse jam i sigurt që do të zbulojnë një vend që shkon përtej pritshmërive të tyre. Ndërsa ne do të jemi të gatshëm të ndihmojmë këdo që do të ketë nevojë për shërbimet tona në ambasadë.
Kryeministri Edi Rama ka shprehur publikisht mbështetjen për skuadrën e Romës, keni një koment për këtë?
Secili është i lirë të zgjedhë dhe të mbështesë ekipin e zemrës ose preferencës së tij. Unë gjithashtu mund të deklaroj publikisht mbështetjen time për skuadrën e Fejnordit.
KOHA JONË SONDAZH

