
Arsenali ka siguruar tri pikë të rëndësishme në kampionat, duke mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Hull City-n në Emirates Stadium. Vendimtar për skuadrën e Mikel Artetës ishte kapiteni Martin Odegaard, i cili realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 72-të.
Londinezët nuk e patën aspak të lehtë përballjen, pasi Hull City u tregua një kundërshtar i vështirë, duke mbrojtur mirë dhe duke mos lejuar hapësira për vendasit. Në pjesën e parë, Arsenali hasi vështirësi për të krijuar raste të pastra, ndërsa një episod me Kai Havertz shkaktoi polemika. Gjermanit iu anulua penalltia pas ndërhyrjes së VAR-it, pasi u evidentua pozicion jashtë loje në aksionin paraprak.
Në pjesën e dytë, Arteta ndryshoi ritmin e lojës përmes zëvendësimeve, duke aktivizuar Viktor Gyokeres, Mikel Merinon dhe Eberechi Eze. Presioni i Arsenalit u shpërblye në minutën e 72-të, kur pas një goditjeje të Noni Maduekes dhe pritjes së portierit kundërshtar, Odegaard përfitoi nga topi i kthyer dhe e dërgoi në rrjetë.
Për mesfushorin norvegjez ky ishte goli i pestë sezonal, një tregues i rëndësisë së tij në objektivat e skuadrës.
Me këtë sukses, Arsenali shkon në pushimin e kombëtareve në krye të Premier League, duke vazhduar garën për titullin.
Ndërkohë, Tottenham pësoi një humbje zhgënjyese 1-0 në transfertë ndaj Leeds United. Noah Okafor shënoi në minutën e 79-të, duke i dhënë fitoren vendasve.
