Bayerni përmbysje epike ndaj Dortmundit, Lewandowski me tripletë sfumon Haaland (VIDEO)
Bayerni ka arritur një fitore spektakolare me përmbysje 4-2 ndaj Dortmundit, duke rimarrë vendin e parë në renditje. Ishte një mbrëmje aspak e thjeshtë për ekipin e Flick. Pasi nisi me disavantazh të dyfishtë.
Erling Haaland dhuroi spektakël në startin e ndeshjes duke shënuar dy gola në minutën e dytë dhe të 9-të. Bayerni kundërpërgjigjet me bomberin e vet kryesor, Robert Lewandowski që shënoi dy gola në fraksionin e parë, njërin prej tyre nga pika e bardhë. Në pjesën e dytë të dyja skuadrat ishin më të kujdesshme duke lejuar më pak shanse shënimi.
Haaland doli i dëmtuar në minutën e 60-të, duke lënë një boshllëk të madh në sulm. Dy minuta nga fundi i ndeshjes, Leon Goretzka shënoi një gol të bukur me një goditje fluturimthi. Më pas do të kishte kohë edhe për një gol të tretë të Lewandowskit, që merr një tjetër top në shtëpi, duke arritur shifrën e frikshme të 31 golave deri më tani. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

