Bogdani: Vendi i tretë është super, Sadiku duhet të largohet nga Zvicra

Me 18 golat që ka realizuar me fanellën e Kombëtares dhe me 12 vitet e kaluara në futbollin italian, Erjon Bogdani vijon të mbetet pika e referimit për “gjahtarët”shqiptarë të golit. Aktualisht trajneri i Kombëtares U-19, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” ka analizuar ecurinë e bomberit të momentit në Kombëtare dhe cilësive të tij.

Kryegolashënuesi i kuqezinjve rrëfen “truket e zanatit” që i ka mësuar Sadikut dhe sulmuesve të Kombëtares kur i ka stërvitur. Ish-ndihmësi i Xhani De Biazit ka komentuar edhe situatën që italiani ka kaluar së fundmi me ekipin, si dhe ka analizuar paraqitjen e fundit të Shqipërisë në Izrael, së bashku me ndikimin e trajnerit.

Në fjalën e tij, Bogdani është i kujdesshëm për të folur për të ardhmen e teknikut, ndërkohë që ka bindje se vendi i tretë i arritur nga Shqipëria në këtë grup do të justifikonte më së miri edicionin.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Rekordet janë bërë për t’i thyer… Do të thotë që, nëse e thyejnë rekordin e golave me Shqipërinë, ne do ta shikojmë sa më lart këtë ekip dhe për mua që jam tifoz i kësaj kombëtareje do më bëhej qejfi”, është shprehur ndër të tjera ish-bomberi i Kombëtares shqiptare dhe aktualisht trajneri i Kombëtares U-19.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fitore e pastër 0-3 në transfertë ndaj Izraelit, si e patë këtë ndeshje?

Pashë një ndeshje të bukur, ku luajtëm si ekip të gjithë bashkë, luftuam shumë dhe ku repartet ishin afër njëri-tjetrit. E merituam fitoren.

Ishte ditë e dobët për Izraelin, apo kjo ishte Shqipëri perfekte?

Ishte një Shqipëri siç jemi mësuar kohët e fundit. Ishte një Kombëtare me ato karakteristika, ashtu siç shkuam në Europian…

A ishte kjo ndeshje një tregues që në Elbasan na mundi arbitri më shumë sesa Izraeli?

Ekipi i Izraelit është i fortë… Në “Elbasan Arena”, në mos gaboj, na ndëshkuan me një penallti dhe karton të kuq që në fillim. Pra, siç është bërë futbolli tani, të gjitha skuadrat janë pak a shumë të ekuilibruara dhe episodet bëhen shumë të rëndësishme. Në këtë 90-minutësh treguam që 11 kundër 11 jemi më të fortë.

Si e patë dopietën e Sadikut dhe cili është vlerësimi nga ju që jeni një ish-bomber i sprovuar në Serinë A dhe Kombëtare?

Golat ishin shumë të bukur dhe më bëhet qejfi shumë për Sadikun. Por unë them që ekipi kombëtar ka sulmues cilësorë si Sadiku, Cikalleshi edhe Balaj që dje nuk ishte i gatshëm për ndeshjen.

Ai arriti në kuotën e 9 golave, a mendoni se mund t’ju sfidojë dhe ta thyejë rekordin e kryegolashënuesit të Kombëtares?

Rekordet janë bërë për t’i thyer… Mua personalisht më bëhet qejfi për këta sulmues që përmenda. Do të thotë që, nëse e thyejnë rekordin e golave me Shqipërinë, ne do ta shikojmë sa më lart këtë ekip dhe mua, që jam tifoz i kësaj kombëtareje, do të më bëhej qejfi. Jo vetëm kaq, por sepse me këta sulmues kam luajtur, por edhe i kam stërvitur (qesh…).

Çfarë veçorish gjeni te Sadiku, nga ato që keni pasur gjatë karrierës?

Është sulmues i fortë, bën repart vetëm dhe mban në alarm të gjithë mbrojtjen kundërshtare… Ka rritje vit mbas viti dhe them me bindje që është gati të luajë në një kampionat më të fortë.

Ka ndonjë sekret “të zanatit” që mund t’ia sugjeroni për të përballuar si duhet elitën e futbollit europian?

Me Sadikun kam folur shpesh, por gjithashtu dhe me Cikalleshin dhe Balajn dhe jua kam thënë gjithmonë ato që mendoj për secilin prej tyre. Për Sadikun them që këtë vit duhet të kalojë në një ekip të fortë për të treguar veten, sepse i ka të gjitha mundësitë për të shënuar dhe për të tërhequr ekipin siç e ka bërë edhe me Kombëtaren.

Kur humbasim i bien shumë përgjegjësi trajnerit, ndërsa tani sikur del në plan të dytë. Pse ndodh kjo dhe si e keni parë situatën e trajnerit?

Flas për veten time… Në intervistat e mia kam thënë që ka bërë një punë të shkëlqyer me Kombëtaren. Në pesë humbjet e fundit kanë qenë edhe lojtarët që e kanë deklaruar nëpër intervista që duhet të jepnin më shumë.

Pavarësisht këtyre gjërave, them që në Izrael, Shqipëria, përveç se luajti mirë, vendosi në fushë edhe ato karakteristika që De Biazi ia ka kërkuar shpesh edhe në ndeshjet e fundit. Pikërisht ato karakteristika që na kanë çuar në Europian.

Jo si trajner i Kombëtares U-19, por vetëm si një ish-lojtar me shumë eksperiencë në Kombëtare, a mendoni se duhet të qëndrojë ende De Biazi?

Unë intervistat e mia i kam bërë të gjitha siç i mendoj… Kjo pyetje është për presidentin Duka dhe për De Biazin. E them këtë, pasi nuk e di se çfarë mund të japë njëri dhe çfarë mund t’i kërkojë tjetri.

Së jashtmi, a e keni një opinion personal për raportin trajner-skuadër gjatë kësaj periudhe?

Deri sa kam qenë unë, çdo gjë ishte perfekte. Më vonë, nuk e di. Por, me atë që pashë në këtë ndeshje të fundit në Izrael, them që çdo gjë është perfekte.

Mendoni se kjo ishte një lloj sinjali për vazhdimësinë?

Jua thashë edhe më parë që nuk e di çfarë mund të jepet dhe çfarë kërkohet. Vetëm ato e dinë.

A është sezon i justifikuar për trajnerin dhe skuadrën vendi i tretë?

Mendoj se po! Një po e madhe. Kjo sepse ne nuk e kemi nivelin e Spanjës dhe Italisë…/panoramasport

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?