Bushi: Ndaj Andorrës luajtëm mirë, pres më shumë nga skuadra!

Shqipëria e 21-vjeçarëve e drejtuar nga trajneri Alban Bushi është duke zhvilluar në Sofje përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Bullgarisë, që do të zhvillohet ditën e nesërme, në orën 18:30 në stadiumin e Slavias. Kuqezinjtë vijnë në këtë miqësore pas debutimit fanastik në eliminatoret e Kampionatit Europian 2023, ku mundën Andorrën 3-0 në transfertë duke bërë në të njëjtën kohë edhe një lojë shumë të mirë. Në prag të stërvitjes zyrtare në Sofje, për fshf.org, ka folur trajneri Bushi, i cili është ndalur te debutimi i skuadrës në eliminatore dhe nuk ka hezituar të falënderojë djemtë për shpirtin e garës që treguan në fushën e lojës.

“Ishte shumë e rëndësishme për ne ndeshja e parë që ta nisnim mbarë. Kishim vështirësi në ndërtimin e skuadrës përpara ndeshjes duke parë se kishim shumë mungesa dhe shumë lojtarë të rinj në ekip, por na ndihmoi disi edhe fakti që e njihnim ekipin e Andorrës sepse kishim luajtur një vit më parë dhe ndërtuam një strategji për ndeshjen. Unë i kërkova ekipit shumë përqendrim dhe në asnjë moment të mos nënvlerësonim kundërshtarin. Dua ta falënderoj skuadrën për shpirtin e garës që tregoi në fushën e lojës. Në këtë ndeshje ne nuk luajtëm futbollin tonë karakteristik, ku bëjmë më shumë pasime dhe vertikalizime sepse kundërshtari nuk ta lejonte një gjë të tillë, duke parë që qëndron shumë ngushtë dhe kërkon të prishë ҫdo aksion dhe jo të ndërtojë.

Përtej kësaj të rëndësishme ishin 3 pikët dhe i morëm ato, por duhet të përmirësohemi akoma më shumë për të përballuar skuadrat e tjera të grupit, që janë një nivel më lart se Andorra. Shpresoj që në ndeshjen e radhës në shtator, të kemi të gjithë grupin dhe të bëjmë më të mirën tonë. Në të njëjtën kohë dua të falënderoj edhe trajnerin Reja duke qenë se na lejoi të grumbullojmë Armando Brojan dhe Mario Mitajn”, tha Bushi.

Starti i mirë është gjithmonë i rëndësishëm në një fushatë eliminatore, dhe në fund mund të rezultojë vendimtar për objektivat e kuqezinjve. Trajneri Bushi nuk e fsheh se kërkohet vendi i dytë.

“Ne i kemi të gjitha mundësitë për të zënë vendin e dytë, kemi lojtarë shumë cilësorë, të cilët e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Duhet të kuptojnë mirë rëndësinë e fanellës dhe faktit që të gjithë shqiptarët presin nga ne maksimumin. Për këtë duhet të djersijnë shumë në fushën e lojës, duhet të sakrifikojnë dhe të përkushtohen në maksimum për fanellën. Nëse ata e bëjnë këtë në çdo ndeshje, ne do të arrijmë shumë lart në këto eliminatore”, u shpreh Bushi. Në fund trajneri i 21-vjeçarëve kuqezi ndalet edhe te gjendja e grupit dhe miqësorja me Bullgarinë.

“Në prag të kësaj ndeshjeje jemi në një situatë jo dhe aq të mirë përsa i përket grupit të lojtarëve që kemi, duke parë dëmtimet dhe largimet. Ndeshja e nesërme me Bullgarinë është një test shumë i rëndësishëm për ne, duke parë se është një kundërshtar që i përshtatet Ҫekisë, me të cilët luajmë në shtator. Ne duhet të bëjmë mirë, ashtu si gjithmonë, edhe se kemi mungesa ne do t’i japim mundësinë të gjithë lojtarëve të tjerë që nuk luajtën në Andorra. Unë pres shumë nga lojtarët nesër”, ka përfunduar rrëfimin e tij Alban Bushi.

SHKARKO APP