Conte i shkel syrin “Juventusit”: Gati të kthehem, dua një klub që ka humbur nga historia e saj!
Antonio Conte po përgatitet për një rikthim të ri në stol pas eksperiencës së tij te Napoli. Trajneri italian ka rrëfyer për The Athletic përvojën në Itali, karrierën e tij dhe kriteret që do të ketë për klubin e ardhshëm. Conte e cilësoi aventurën te Napoli si një eksperiencë të jashtëzakonshme, por pranoi se puna i kushtoi shumë energji.
“Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme, por kam shpenzuar shumë energji dhe nuk ka qenë e lehtë”, u shpreh ai.
Duke folur për të ardhmen, trajneri italian bëri të qartë se kërkon një klub me histori, traditë dhe ambicie të mëdha. Sipas tij, një skuadër me një të kaluar të pasur duhet të rikthehet të luftojë për objektivat më të rëndësishëm.
“Nëse shkon në një klub historia e të cilit flet vetë, me trofe, kampionate dhe fitore, mënyra e vetme për ta nderuar është të kesh ambicien për ta rikthyer atë klub në luftën për këto objektiva”, deklaroi Conte.
Ai shtoi se do të dëshironte të drejtonte një klub që ka humbur disi lidhjen me lavdinë e së kaluarës dhe ta ndihmonte të rikthehej në majat e futbollit. Mesazhi i tij është interpretuar si një referencë për disa prej klubeve të mëdha që kanë kaluar periudha pa tituj, përfshirë Juventusin, Milanin, Manchester United dhe Chelsea.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua rolit të trajnerit në një klub. Conte beson se tekniku duhet të ketë një rol qendror në përcaktimin e drejtimit dhe vizionit të skuadrës.
“Ai duhet të japë drejtimin dhe vizionin. Trajneri duhet të jetë në qendër dhe të ketë rëndësi”, tha italiani.
Conte mori si shembuj Mikel Artetën, Jürgen Kloppin dhe Pep Guardiolën, ndërsa përmendi edhe Cesc Fàbregas te Como si një trajner me ndikim në vendimmarrje.
Në fund, Conte theksoi rëndësinë e ekuilibrit brenda një skuadre, duke sjellë si shembull Paris Saint-Germainin, i cili nuk arriti të fitonte Champions League me Lionel Messin, Neymarin dhe Kylian Mbappén në përbërje.
“Duhet të kuptosh se duhet të ketë ekuilibër dhe harmoni”, përfundoi Conte.

